Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka deklaruar se me Bedri Hamzën në krye të Qeverisë, Kosova do të hyjë në një kapitull të ri ekonomik dhe social, ku përmirësimi i jetës së qytetarëve do të jetë prioritet kryesor.
Tahiri ka theksuar se programi i PDK-së parasheh rritje të pagave për të gjithë punëtorët, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. “Me Bedri Hamzën Kryeministër, të gjithë punëtorët do të kenë paga më të larta dhe kushte më të mira jetese,” është shprehur ai.
Sipas tij, përfitimet nuk do të kufizohen vetëm te punëtorët, por do të përfshijnë edhe shtresat më të ndjeshme të shoqërisë. “Qindra mijëra pensionistë, të gjitha kategorive, si dhe përfituesit e ndihmave sociale, do të kenë rritje prej 50 për qind të pensioneve,” ka deklaruar Tahiri.
Ai ka shtuar se kjo qasje përfaqëson një ndryshim të qartë në mënyrën e qeverisjes dhe në fokusin e politikave publike. “Është koha për një kapitull të ri për Kosovën – punëtorë dhe pensionistë që jetojnë më mirë, biznese që zhvillohen dhe një shtet që funksionon,” ka theksuar ai.
Tahiri ka përmbyllur deklaratën duke nënvizuar mesazhin politik të PDK-së për zgjedhjet e ardhshme: “Drejtimi është i qartë: PDK130 dhe Bedri Hamza Kryeministër.” /Lajmi.net/


