Për herë të parë që nga zgjedhja e tij në krye të Kishës Katolike, Papa Leo XIV kremtoi Meshën e Natës së Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke i dhënë festës jo vetëm solemnitetin e traditës, por edhe një dimension të fortë njerëzor.
Pak minuta përpara nisjes së liturgjisë, Ati i Shenjtë doli papritur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke sfiduar shiun e dendur që kishte përfshirë Romën. Mijëra besimtarë e pritën Papën me emocione të forta dhe duartrokitje, në një moment të papritur e simbolik.
I prekur nga përkushtimi i tyre, Papa Leo XIV iu drejtua turmës me një mesazh mirënjohjeje dhe bekimi:
“Faleminderit që erdhët, edhe në shi. Urimet më të mira për të gjithë. Le ta festojmë Krishtlindjen së bashku. Jezu Krishti, i cili lindi për ne, na sjell paqen dhe dashurinë e Zotit. Zoti ju mbroftë dhe ju bekoftë të gjitha familjet tuaja.”
Pas këtij momenti të ndjerë, Papa u drejtua drejt Bazilikës së Shën Pjetrit, ku u prit nga një atmosferë madhështore dhe thellësisht shpirtërore. Mesha e Natës së Krishtlindjes, e para e tij si Papë, u kremtua në një bazilikë të mbushur plot me besimtarë nga e gjithë bota.
Më tej Papa dha një mesazh:
“Një ekonomi e shtrembëruar çon në trajtimin e njerëzve si mallra.”
Hyrja e Atit të Shenjtë u shoqërua nga himni tradicional “Noel”, i interpretuar nga Kori i Kapelës Sistine. Në Altarin qendror të Rrëfimit, Papa Leo XIV kremtoi meshën së bashku me rreth 250 klerikë të lartë kardinalë, peshkopë dhe priftërinj duke hapur kështu ritet e një prej netëve më të shenjta të kalendarit të krishterë.


