Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka shënuar një vit me angazhim të shtuar, duke realizuar dokumente strategjike për rritjen e gatishmërisë kombëtare ndaj fatkeqësive natyrore, ndërsa gjatë muajve më të ndjeshëm të verës ka përballuar mijëra intervenime, veçanërisht në zjarre, vërshime, aksidente rrugore dhe shërbime teknike, përmes koordinimit të pandërprerë 24/7 me institucionet relevante.
Drejtori ekzekutiv Genc Metaj flet për arritjet, sfidat dhe reagimin ndaj emergjencave në vitin 2025 nga strategjitë e gatishmërisë kombëtare deri te koordinimi intensiv i intervenimeve në terren dhe përballja me situatat e zjarreve, vërshimeve dhe aksidenteve.
“Gjatë këtij viti kemi realizuar një sërë aktivitetesh të rëndësishme që kanë kontribuar në përmbushjen e objektivave tona dhe në përmirësimin e vazhdueshëm të performancës, sa i përket dokumentacionit për rritjen e gatishmërisë kombëtare ndaj fatkeqësive natyrore, janë realizuar ,miratimi i programit të ushtrimeve dhe vlerësimi i gatishmërisë kombëtare,hartimi i 5 kornizave kombëtare në fushat e parandalimit, mbrojtjes, zbutjes, reagimit dhe rimëkëmbjes, hartimi i dokumentit të vlerësimit të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, hartimi i 15 funksioneve mbështetëse sipas Planit të reagimit kombëtar, hartimi i planit të integritetit, hartimi i planit të performancës, gjithashtu zbatimi i planit të veprimit të Strategjisë shtetërore për zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, miratimi i projektit për themelimin e njësive të reja të kërkim-shpëtimit.
Sa i përket koordinimit dhe reagimit, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, përmes qendrave operative emergjente, në mënyrë të veçantë është shtylla kryesore operative e agjencisë, e cila vazhdimisht, pa ndërprerë, 24 orë, 7 ditë të javës, ka vazhduar të pranojë thirrje emergjente dhe t’i koordinojë veprimet me institucionet relevante, duke reflektuar rëndësinë e koordinimit dhe reagimit të shpejtë institucional. Gjatë kësaj vere kemi pasur një situatë të rëndë, duke përfshirë zjarret dhe do t’ju informojmë edhe me numrin e intervenimeve të përgjithshme dhe veçanërisht ato të zjarreve.
Periudha më e ndjeshme e këtij viti kanë qenë muajt korrik, gusht dhe shtator, ku kanë qenë 7,091 intervenime në zjarre; kemi pasur 320 intervenime në raste vërshimesh dhe thithje uji, 272 intervenime në aksidente rrugore, si dhe 2,983 intervenime teknike dhe shërbime të ndryshme”, theksoi Metaj.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka realizuar një sërë aktivitetesh të rëndësishme për rritjen e gatishmërisë kombëtare ndaj fatkeqësive natyrore.
Janë hartuar dhe miratuar programi i ushtrimeve dhe vlerësimi i gatishmërisë kombëtare, 5 kornizat kombëtare në fushat e parandalimit, mbrojtjes, zbutjes, reagimit dhe rimëkëmbjes, dokumenti i vlerësimit të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, 15 funksionet mbështetëse sipas Planit të reagimit kombëtar, plani i integritetit, plani i performancës dhe plani i veprimit të Strategjisë shtetërore për zvogëlimin e rrezikut.
Gjithashtu, është miratuar projekti për themelimin e njësive të reja të kërkim-shpëtimit.



