Një grup prej 22 organizatash të shoqërisë civile kanë reaguar për, siç e vlerësojnë ato, sulmet dhe denigrimin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit në vend. Reagimi vjen pas një postimi të 9 nëntorit të përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, ku ai ka përdorur gjuhë nënçmuese ndaj gjyqtarëve dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Organizatat vlerësojnë se deklarime të tilla minojnë kredibilitetin e sistemit të drejtësisë dhe nxisin diskurs publik armiqësor ndaj gjyqtarëve. Ato i kërkojnë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të ndërpresë menjëherë sulmet ndaj institucioneve të pavarura, përfshirë gjyqësorin, mediat dhe organizatat joqeveritare.
“Ne kërkojmë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti që menjëherë të ndalojë sulmet ndaj sistemit gjyqësor dhe pushteteve tjera, siç janë mediat dhe organizatat e shoqërisë civile, sa herë që nuk pajtohet me to”, thuhet në reagim.
Në reagim rikujtohet se kundërshtimi i vendimeve gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes procedurave ligjore të apelimit, siç përcaktohet edhe me rekomandimin CM/Rec(2010)12 të Këshillit të Europës, i cili u bën thirrje pushteteve ekzekutive dhe legjislative të shmangin deklaratat që minojnë pavarësinë dhe autoritetin e gjyqësorit.
Organizatat theksojnë se gjyqësori mbetet një prej shtyllave kryesore të mbrojtjes së demokracisë dhe sundimit të ligjit. Reagimin e kanë nënshkruar:
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Lëvizja FOL
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti Musine Kokalari
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK)
Flutura Kusari, aktiviste
Iniciativa për Proges (INPO)
Iniciativa e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut(YIHR)
Qendra per Barazi dhe Liri (CEL Kosova)
KMDLNj
KIPRED
SHL-Kosova- Rahovec
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
QIKA
Fourth Wave
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë
OMM Gjethi
Organizata ÇOHU!
OJQ Pishtarët
K-W4W
Qendra per Zhvillimin e Grupeve Shoqerore (CSGD)