Partitë politike kanë publikuar listat zgjedhore, ku disa prej tyre kanë prezantuar figura të reja, ndërsa të tjerat kanë ruajtur pothuajse të njëjtat emra nga zgjedhjet e kaluara. Politologu Avdi Smajljaj thotë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bërë shumë ndryshime pasi votat kryesisht fokusohen tek lideri i partisë, ndërsa sipas tij fryma e vjetër politike dominon në të gjitha listat.
Të gjitha partitë politike në vend kanë publikuar listat e tyre me emrat e kandidatëve që synojnë të fitojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Në disa prej partive janë paraqitur figura të reja, ndërsa disa të tjera kanë ruajtur pothuajse të njëjtën përbërje si në zgjedhjet e kaluara.
Në top 10-shen e partive kryesore bie në sy Eman Rrahmani, i cili mban numrin 9 në listën e PDK-së; Ferid Agani me numrin 9 në LDK; si dhe Agim Çeku me numrin 10 në AAK.
Ndërkaq, në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ka risi në dhjetëshen e parë.
Por ajo që bie në sy, është garimi i ish kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemii cili mban numrin 83.
Megjithatë, politologu Avdi Smajljaj ka shpjeguar pse nuk ka ndryshime të mëdha brenda partisë më të madhe në vend.
“Lista e Vetëvendosjes pothuajse është e njëjtë, me përjashtim të disa emrave të rinj, të cilët nuk pres se do t’i sjellin shumë vota. Kalkulimi i tyre se votat i merr kryesisht lideri i partisë i ka shtyrë që të mos bëjnë shumë ndryshime në listën për deputetë”, ka thënë Smajljaj.
Tutje, profesori thotë se në të gjitha listat vazhdon të dominojë fryma e vjetër politike.
“Në përgjithësi mendoj se tek të gjitha listat dominon ajo fryma e vjetër politike që i karakterizon këto parti”, është shprehur tutje Smajljaj.
Në garë për legjislaturën e dhjetë të Kosovës së pasluftës janë gjithsej 1 mijë e 181 kandidatë.
Zgjedhjet e dhjetorit do të jenë të tretat këtë vit, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit dhe atyre për kryetarë komunash më 12 tetor./teve1