Përfaqësuesit e familjeve shqiptare të personave të zhdukur nga Kosova, në një konferencë në Beograd ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve serbe, kërkuan nga Serbia përgjigje të plota dhe konkrete për fatin e të pagjeturve.
“Kërkojmë që marrëveshjet e nënshkruara mes dy shtete të zbatohen në praktikë. Familjet nuk kanë nevojë për deklarata politike, por për informacione të sakta. Nga Serbia kërkojmë transparencë të plotë, dorëzimin e të gjitha të dhënave dhe përfshirjen e ekspertëve të Kosovës në të gjitha fazat e kërkimit te lokacioneve. Çdo vonesë e ul shpresën dhe dinjitetin e familjeve”, ka thënë Gjyle Haziri nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur.
Përfaqësues të familjeve shqiptare dhe serbe nga Kosova, të ulur së bashku në një konferencë në prag të 10 dhjetorit Ditës së të Drejtave të Njeriut, kërkuan përshpejtimin e procesit të kërkimit, përmirësimin e bashkëpunimit institucional dhe përshpejtimin e punimeve në të gjitha lokacionet e mundshme të varrezave masive, shkruan RTK.
“Familjet kërkojnë të vërtetën dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Kjo është e drejta jonë. Çështja e personave të zhdukur është para së gjithash çështje humanitare dhe civilizuese, e jo politike”, ka thënë Natasha Shqepanoviq nga Shoqata e Familjeve të Serbëve të Zhdukur nga Kosova.
Nga Komisioni për Personat e Zhdukur i Qeverisë së Serbisë u bë e ditur se me kërkesë të palës kosovare janë duke u kryer kërkime në disa lokacionet e mundshme të varrezave masive. U tha se çështja është ngritur në nivelin më të lartë të dialogut në Bruksel, por procesi ka ngecur.
“E rëndësishme është që procesi të rifillojë dhe politika të largohet prej tij. Detyra jonë është të ushtrojmë presion mbi institucionet dhe të qëndrojmë pranë familjeve. Këtu nuk bëhet fjalë për statistika, derisa të gjendet personi i fundit, puna nuk është e përfunduar”, ka thënë Mërgim Memoviq nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur.
Në këtë konferencë u theksua se ende kërkohen 1.580 persona të zhdukur. Familjet nënvizuan se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për përshpejtimin e procesit dhe se pa zgjidhjen e çështjes së të zhdukurve nuk mund të ketë dialog të qëndrueshëm apo pajtim të vërtetë.