Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve të anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, i cili ka ofenduar mediat dhe AGK-në, duke i quajtur “aleancë e grupeve kriminale”.
Përmes një reagimi në Facebook, Gutierrez i ka kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërhyjë menjëherë dhe t’i japë fund asaj që ai e quan “fushatë shpifëse” e iniciuar nga një pjesëtar i partisë së tij.
Ai ka theksuar se krahasimi i AGK-së – organizatë e respektuar e gazetarëve në Evropë – me një grup kriminal është “i turpshëm dhe i padenjë”. Sipas tij, AGK po kryen misionin e saj legjitim: mbrojtjen e gazetarëve dhe gazetarisë.
“Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju po i dëmtoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vetë vendin tuaj,” ka shkruar Gutierrez.
Postimi i tij i plotë:
Kryeministër në detyrë Kurti,
Ju bëj thirrje që menjëherë t’i jepni fund fushatës shpifëse që po zhvillohet nga një anëtar i partisë suaj kundër gazetarëve.
Sami Kurteshi e ka përshkruar organizatën tonë partnere, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), si një “aleancë e grupeve kriminale”.
Krahasimi i një organizate shumë të respektuar të gazetarëve evropianë me një grup kriminal është njëkohësisht i turpshëm dhe i padenjë. AGK është një organizatë e respektuar që thjesht po e kryen punën e saj, që është mbrojtja e gazetarëve dhe e gazetarisë.
Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju po i cenoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vendin tuaj, duke lejuar që vetë partia juaj, VV-ja, të denigrojë këdo që guxon t’ju kërkojë llogari juve dhe vendimmarrësve të tjerë.
Turp për partinë tuaj! Ju bëj thirrje t’i jepni fund këtij frikësimi para se të jetë tepër vonë.
Kam parë shumë gazetarë të përballen me abuzime dhe sulme fizike, shumë shpesh pas denigrimeve publike. Ju keni përgjegjësi t’i ndalni këto praktika që ngjasojnë me mafien.
Përndryshe, do të jeni bashkëpjesëmarrës në to./Lajmi.net/