Valdete Shabanit katër herë i është ndryshuar vendi i punës në Ndërmarrjen “Trepça” brenda një viti e gjysmë.
Por, nuk janë mjaftuar me kaq. Menaxhmenti i kësaj ndërmarrje ka vendosur që të suspendoj nga puna Shabanin, transmeton lajmi.net.
Arsyetimi që i kanë dhënë asaj është se ka kryer shkelje të rënda të detyrave të punës.


Tutje, menaxhmenti pretendon se ajo ka keqpërdorur pozitën e saj dhe ka tejkaluar autorizimet e dhëna. Po ashtu, në njoftim pretendohet se ajo ka kërcënuar apo fyer kolegët në objektet e punës.
Krejt kjo vjen si shkak i deklaratës së Valdete Shabanit në një paraqitje publike me 24 nëntor ku për zyrtarët e menaxhmentit ka thënë se “këta janë si Millosheviqi”.
Po ashtu, menaxhmenti është “prekur” nga gjuha që e ka përdorur Shabani në një intervistë gjatë muajit maj.
Në lidhje me këtë suspendim, Valdete Shabani ka dorëzuar një ankesë dje. Ajo e ka quajtur këtë vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Ajo punon në këtë ndërmarrje që 11 vite. Nga viti 2015, ajo ka qenë Shefe e Shërbimit Logjistik dhe Administrativ në Flotacionin e Stantërgut.
Situata eskaloi kur Faton Ahmeti në vitin 2024 u bë Kryeshef i Ndërmarrjes. Ai filloi të ua ndryshoj vendet e punës dhjetëra punëtorëve.
Përveç sfidave ligjore, në mars 2025, Valdete Shabani pësoi një lëndim në vendin e punës në Kishnicë, kur një bulon i madh i ra në këmbën e djathtë./lajmi.net/