Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përgëzuar FC Dritën pas fitores së madhe ndaj Shkëndijës së Tetovës në UEFA Conference League.
Në ndeshjen e zhvilluar sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, kampionët e Kosovës triumfuan me rezultat 1:0, falë golit të Arb Manajt, transmeton lajmi.net.
Kjo fitore e dytë në fazën e grupeve, pas triumfit kundër Shelbourne, e ngjit Dritën në kuotën e 8 pikëve dhe e afron edhe më shumë drejt kalimit historik në fazën tjetër të garës.
Ademi vlerësoi atmosferën e jashtëzakonshme në stadium, ku “Intelektualët” dhe “Ballistët” krijuan një skenë të rrallë vëllazërie dhe mbështetjeje, pavarësisht temperaturave të ulëta, në prag të festës së 28 Nëntorit.
Kreu i FFK-së shprehu mirënjohje për futbollistët, stafin dhe tifozët e Dritës, ndërsa falënderoi edhe Shkëndijën për paraqitjen korrekte dhe sportive.
“Urime FC Drita, ju priftë e mbara në ndeshjet e radhës”, u shpreh Ademi në mesazhin e tij./lajmi.net/