Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e thirrur me nënshkrimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje gjysmë ore me vonesë.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, aktualisht po e argumenton se pse duhet të votohen pikat e rendit të ditës që u caktuan për këtë seancë.
Në sallë janë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe.
Kjo seancë është bojkotuar nga partitë tjera meqë e cilësuan si të kundërligjshme.
Partitë thanë s’mund të formohen komisionet parlamentare pa pasë një qeveri dhe pa u ditur se kush është pozita e kush opozita.
Analisti politik, Albert Krasniqi, tha dje se seanca e jashtëzakonshme e thirrur për sot vetëm pak orë para seancës për zgjedhjen e Qeverisë “është një seancë e paligjshme dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të vendit”.
“Nëse çështjet e renditura në rend dite do të merreshin me seriozitetin që pretendohet sot, vendi nuk do të mbahej i bllokuar për dhjetë muaj me radhë, dhe as do të kalonim nëpër farsën e “përpjekjeve” të rreme për të gjetur marrëveshje me partitë e tjera për formimin e Qeverisë”.
Ai tha se kjo seancë nuk është zgjidhje, por “një manovër politike e pushtetit, të cilës i është bashkuar së fundi edhe Presidentja Osmani, për të zhvendosur fajin te të tjerët për pasojat e rënda financiare me të cilat do të përballet vendi”.
Krasniqi shtoi se thirrjet “për shkelje të qëllimshme të ligjshmërisë” nuk janë as rrugëdalje, as zgjidhje.