Atalanta ka njoftuar zyrtarisht ndarjen me trajnerin Ivan Juric, pas vetëm 11-të ndeshjes në këtë sezon të Serie A, dhe pas një humbje prej 3-0 në shtëpi nga ekipi i sapopromovuar i Sassuolos.
Juric, i cili u caktua si pasardhës i Gian Piero Gasperinit gjatë verës, e lë Atalantën në vendin e 13-të në tabelën e Serie A, me vetëm dy fitore në 11 ndeshje.
“La Dea” i ka humbur dy ndeshjet e fundit në Serie A, të cila erdhën pas gjashtë barazimeve radhazi në ligë.
Kjo do të thotë se ata morën vetëm gjashtë pikë nga tetë ndeshjet e fundit në elitën e futbollit italian.
Eksperti i “Football Italia”, Alfredo Pedulla kishte thënë se Juricit i ishin përcaktuar ndeshjet ndaj Marseilles në Ligën e Kampionëve dhe ajo ndaj Sassuolos në Serie A, si ndeshjet vendimtare për të ardhmen e tij tek Atalanta.

Pavarësisht se fitoi ndaj Marseilles, trajneri sërish ishte në qendër të vëmendjes pas përplasjes së tij me Ademola Lookman në bankinë. Dhe, me humbjen 3-0 nga Sassuolo, gjërat u bënë më të rënda për të.
Si për rastësi, Juric po ashtu ishte shkarkuar nga Roma në këtë ditë, një vit më parë: Nëntor 2024.
Besohet se ish-trajneri i Monzas dhe Fiorentinas, Raffaele Palladino do të jetë pasardhësi i Juricit tek Atalanta.
Atalanta megjithatë e falëndëroi Juricin për shërbimin e tij të deritanishëm,.
“Atalanta njofton se Ivan Juric është liruar nga detyra e tij si trajner i ekipit të parë, së bashku me anëtarët më të afërt të stafit të tij, Matteo Paro, Miguel Veloso, Pablo Barbero, Stjepan Ostojic dhe Michele Orecchio”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Atalanta.
“Atalanta e falënderon Ivan Juricin dhe stafin e tij për përkushtimin e tyre dhe u dëshiron suksese në të ardhmen”, përfundon komunikata e klubit.