Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi janë publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale në vend.
Ai ka thënë se dje, në ditën kur është mbajtur raundi i dytë i këtyre zgjedhjeve, Kosova ka folur me votë, me besim dhe me qartësi dhe se mesazhi i saj ishte i pastër se Kosova jeton me demokraci dhe se kjo është vlera më e madhe e jona si popull.
I pari i LDK-së ka thënë se dje LDK ka fituar në 7 komuna, dhe garën që thotë se ishte kryesorja në vend dhe që e synojnë të gjithë, Prishtinë. Fitoren dy herë radhazi në Prishtinë, Abdixhiku e ka quajtur “shenjë”
“Pas rezultatit të fundit nacional, ky rezultat i djeshëm është sinjal i një force që qëndron, rritet e forcohet. Fitoret e komunat nuk na qëndrojnë te garantuara; ato fitohen apo humben nga fillimi në secilën garë. Prandaj faleminderit secilit kandidat e secilës ekipë për fitoret në Pejë, Viti, Junik, Dragash, Lipjan e Istog e Prishtinë, dhe për këtë rezultat që do ta lakmonim gjithnjë”, ka shkruar Abdixhiu.
Ai ka shprehur mirënjohje edhe ndaj atyre që nuk kanë arritur të fitojnë, duke përmendur edhe Xhafer Gashin i cili dje dha dorëheqje nga LDK pas humbjes.
“Përtej urimeve më të mira për fituesit, dua të shprehë mirënjohjen më të thellë ndaj gjithë atyre që nuk ja dolën këtë herë. Xhafë, Arbër, Besnik e Ardian, na keni bërë krenar secilit me mundin e angazhimin e jashtëzakonshëm. Keni punuar fort, keni punuar mbarë, keni punuar me dinjitet në një garë të vështirë e të pabarabartë – kokën lartë, LDK ndihet krenar që ju ka! Betejat vazhdojnë”, ka shtuar Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK ka fituar me ndershmëri, me përkushtim dhe me njerëzit më të mirë që ka ky vend.
“Kemi fituar me qytetari, me ide, me punë, me përkushtim. Pa aparat shtetëror, pa interesa klanore, duke refuzuar çdo influencë nga jashtë për ndarje tonën, dhe me plot bindje në veten, qytetarët tanë e qytetet tona. Dhe kjo është forca jonë e vërtetë. Ne mund edhe të fitojmë vet, edhe të bashkojmë të tjerë rreth nesh; dhe kjo është vlerë. Për këtë, jemi krenar të gjithë. Për këtë mburremi të gjithë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai iu është drejtuar me mirënjohje të gjithë aktivistëve të LDK-së e të cilët thotë se janë shtylla e fitores së tyre, por gjithashtu ka folur edhe për ata që nuk i votuan.
“Demokracia është për të gjithë, dhe Kosova është për të gjithë. Në këtë Republikë, asnjë qytetar nuk duhet të ndjehet humbës. Sepse zgjedhjet ndajnë vetëm për një ditë; pas saj, na bashkon përgjegjësia për të ndërtuar bashkë vendin tonë. Ne nuk fitojmë për të ndarë. Fitojmë për të bashkuar. LDK nuk njeh qytetarë të ndarë në ngjyra e flamuj partiakë. Ne njohim vetëm qytetarë të Republikës së Kosovës; të barabartë në dinjitet, në mundësi dhe në ëndërr. Në çdo komunë ku kemi fituar, ne do të jemi qeverisje për të gjithë. Sepse për ne, pushteti është përgjegjësi, jo privilegj. Është detyrë për të dëgjuar edhe ata që mendojnë ndryshe, për të ndërtuar bashkë, për të ecur përpara bashkë edhe me ata që nuk pajtohen me ne. Deri sot, fituesit tanë ishin kandidatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga sot, ata janë kryetarë të të gjithë qytetarëve të komunave të tyre. Kështu e kuptojmë ne politikën. Kështu e kuptojmë ne demokracinë”, ka shtuar Abdixhiku.
Ai ka thënë se fitorja e tyre është një përgjegjësi e madhe, thirrje për punë, përulësi dhe për dinjitet pasi thotë se qytetarët kanë nevojë për rezultate e jo heroizma dhe kanë nevojë për partnerë e vepra të ndershme e jo për armiq e fjalë të mëdha.
“Dje, Kosova ka bërë një hap përpara drejt normalitetit. Drejt një qeverisjeje që punon, që dëgjon, që respekton. Drejt një vendi ku fjalët “shtet” dhe “dinjitet” kanë kuptim të përbashkët. Ky është misioni ynë. Dhe këtë mision do ta çojmë përpara me përkushtim e me dashuri për këtë vend. Ju faleminderit të gjithëve për besimin, për përkushtimin dhe për durimin tuaj. Urime Republikës së Kosovës — për një natë shprese, për një fillim të mbarë”, ka përfunduar Abdixhiku.
LDK ka fituar në 7 komuna të Kosovës, aq sa ka fituar edhe LVV. /Lajmi.net/
Postimi i plotë i Abdixhikut në Facebook: