Në orën 07:00 të mëngjesit janë hapur të gjitha qendrat e votimit në Mitrovicën e Jugut, ku sot mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës. Gara po zhvillohet mes kandidatëve Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.
Në këtë komunë janë hapur gjithsej 33 qendra votimi, prej të cilave një është qendër me votim me kusht. Të drejtë vote kanë mbi 64 mijë qytetarë.
Në orët e para të mëngjesit procesi po zhvillohet qetë dhe pa ndonjë incident. Në qendrën më të madhe të votimit, në shkollën fillore “Migjeni”, janë hapur 12 vendvotime ku kanë të drejtë vote rreth 12 mijë qytetarë.
Sipas vëzhgimeve në terren, vendvotimet janë të pajisura me të gjitha materialet zgjedhore, ndërsa procesi po monitorohet nga kamerat e sigurisë, praktikë kjo e vendosur që nga zgjedhjet e fundit nacionale.