back to top
Friday, November 7, 2025
BallinaKulturëImprovizimi si sistem – hapësirat kulturore të rrethuara nga skelat

Improvizimi si sistem – hapësirat kulturore të rrethuara nga skelat

Të ngjajshme

Dërgohet në mbajtje polici që goditi për vdekje një person në Prizren

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë me dije se...

Përparim Rama prezanton projektet për rrugën C, premton vazhdim të investimeve

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar rrugën C. Ai...

Trump pret në takim Orbanin e Hungarisë

Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, është takuar me kryeministrin...

Një shqetësim i kahmotshëm ka qenë (dhe madje vazhdon të jetë edhe sot) mungesa e sallave dinjitoze kur përformoheshin koncerte të Filharmonisë ose Operës. Sot, shqetëson fakti që objektet më të rëndësishme të kulturës i janë nënshtruar, gati se në të njëjtën kohë, procesit të renovimit dhe kësisoj publikut i janë tkurrur në minimum mundësitë për ta shijuar këtë kulturë. Prishtina sot duket si një vend që rinovon muret, por ende nuk ka arritur të rinovojë mënyrën se si e mendon dhe e menaxhon kulturën.

Teatri Kombëtar i Kosovës – ndërmjet skelave dhe premtimeve

Më 16 qershor 2022, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit lajmëroi se objekti i Teatrit Kombëtar të Kosovës do t’i nënshtrohej një renovimi të plotë. Punimet, megjithatë, nisën vetëm në shtator 2024. Gjatë kësaj kohe, trupa e Teatrit u zhvendos përkohësisht në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë, një zgjidhje e improvizuar që u nda bashkë edhe me Baletin Kombëtar, i cili që nga viti 2022 endet midis Obiliqit dhe skenës së përkohshme në Amfiteatër.

Nga MKRS thonë se ndërhyrja në Teatrin Kombëtar është më e thellë se kurrë më parë.

“Duhet të merret parasysh se ndërtesa e Teatrit Kombëtar pas luftës, ndërmjet 5 dhe 8 herë, i është nënshtruar renovimeve të pjesshme. Të gjitha këto projekte ciklike, përveç që kanë shpenzuar fonde, nuk kanë arritur të sanojnë e funksionalizojnë në tërësi ndërtesën, sepse projektet kanë qenë të hartuara dobët dhe kanë qenë jo të plota e rrjedhimisht ndërtesa edhe pas intervenimeve ka qenë e përshkuar nga probleme të mëdha të strukturës, instalimeve elektrike, makinerike dhe të hidros e deportimit të ujërave të zeza, kalbje etj. Sikurse dihet, kjo ndërtesë është voluminoze dhe poashtu mjaft e vjetër nga koha kur është konstruktuar”, thuhet në përgjigje.

Jeton Neziraj, dramaturg, thekson që përkundrejt faktit që fondet për skenën e pavarur kulturore janë rritur, objektet përfomeruse janë rralluar.

“Është  evidente që në nivelin qendror ka pasur rritje drastike të fondeve për skenën e pavarur kulturore në vend, e rrjedhimisht edhe për skenën e pavarur teatrore. Megjithatë, paradoksalisht, në anën tjetër, kjo skenë ka vazhduar t’i humbasë hapësirat përformuese (për arsye të ndryshme, duke përfshirë edhe renovimin). E aktualisht, jemi tërësisht të bllokuar, edhe skena teatrore e pavarur e edhe ajo që financohet nga fondet publike. Dodona është shkatërruar nga komuna dhe është kthyer në lavatriqe që shpëlan para për zgjedhje, Teatri Kombëtar i Kosovës vazhdon të rinovohet, e ndërkohë nuk ka asnjë datë se kur mund të jetë gati, Baleti i Kosovës është degdisur skutave të Obiliqit, Oda tani po mbyllet e ne thjesht s’kemi idenë më të vogël se ku mund të  punojmë … Ja, kjo është pamja brutale e skenës teatrore në kryeqytet.”

Shqetësimin për zgjatjen e renovimeve të objekteve të institucioneve vartëse të MKRS e potencon edhe Shkëlzen Maliqi. Ai thotë madje se përkundrejt intervenimit në infrastrukturë, një tjetër shtysë do të ishte edhe intervenimi në kuadro profesionale.

“Për Teatrin dhe Muzeun është vështirë që të kryejnë funksionin e tyre pa objektet që kanë filluar të rikonstruktohen dhe ende nuk dihet se kur do të përfundohen, në të vërtetët ato janë tejzgjatur. Sigurisht, mirë është që po intervenohet në infrastrukturë, por është dashur të ketë qartësi për kohën e punës në kushte të improvizuara, por edhe në menaxhimin e institucioneve, dhe angazhimin e kuadrove profesionale. Edhe Galeria Kombëtare, me të cilën kam bashkëpunuar, punon kryesisht me stafin me kontrata të përkohshme”, shton Maliqi.

Regjisoret, aktorët, punëtoret e Teatrit e vet publiku megjithatë duan të besojnë që se paku renovimi i objektit të TKK-së do të përfundojë në fillim të vitit 2025, njëjtë siç po pretendon tash Ministria e Kulturës.

“Ndërtesa e cila ka filluar ekzekutimin e punëkryerjës në vitin 2024, do të përfundojë vitin e ardhshëm. Besojmë se realizimi i një projekti të konservimit dhe restaurimit në përmasa sa është ndërtesa e TKK, në një shumë prej afër 8 milionë euro, për 2 vite kohë, është në përputhje me kohën e realizimit të këtyre projekteve që zbatohen në vend dhe në rajon”, thonë nga Ministria.

Galeria Kombëtare e Kosovës – mes rinovimit dhe anulimit të projekteve

Në anën tjetër të qytetit, Galeria Kombëtare e Kosovës është ende nën restaurim. Përkundrejt Teatrit që mund të hapet për publikun në vitin 2025, hapja e Galerisë së rinovuar pritet në shkurt 2026.

“Aktualisht jemi në fazën e zhvillimit të punimeve të brendshme që përfshijnë krijimin e hapësirave ekspozuese, zyrave, arkivit dhe depove të koleksionit,” thotë Alisa Gojani drejtoreshë e Galerisë Kombëtare.

Për fat, institucioni nuk ka ndalur programin e vet artistik:

“Edhe gjatë renovimit, Galeria ka vazhduar programin vjetor falë hapësirës shtesë në Galerinë Qafa. Aktivitetet ekspozuese dhe bashkëpunimet me artistët nuk janë ndërprerë, duke mundësuar që dinamika e skenës artistike të ruhet.”

Ama përtej objektit, në rrafshin e artit pamor, e specifikisht kur flasim për Galerinë Kombëtare të Kosovës, Shkëlzen Maliqi potencon një tjetër shqetësim i cili nuk ka të bëjë me infrastrukturën. Bordi i Galerisë ka anuluar projektin e blerjes se veprave artistike për koleksionin e artit modern dhe bashkëkohor të Kosovës.

“Unë kam qenë anëtar i një Komisioni profesional që i ka përzgjedhur autorët dhe rreth 80 vepra, e kemi raportuar te Bordi i Galerisë, përzgjedhja ka qenë maksimalisht korrekte, por për do shkaqe ose ankesa misterioze, me gjasa të disa grupeve të interesit, ku përflitet se kanë pas vërejtje për një ose dy blerje, i gjithë procesi është bllokuar”, shton Maliqi. 

Alisa Gojani i është përgjigjur pyetjes nëse është planifikuar që ndërhyrjet arkitektonike të shoqërohen edhe me një rikonceptim të mënyrës se si paraqitet dhe ndërvepron publiku me artin, gjatë renovimit të GKK-së

“Po, natyrisht. Projekti përfshin një rikonceptim të plotë të hapësirave ekspozuese me standardet e një muzeu bashkëkohor… Për herë të parë, ndërtohet një aneks i veçantë për ruajtjen e koleksionit shtetëror, që do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e ruajtjes dhe menaxhimit të veprave”, përfundon Gojani.

Teatri Oda – po ashtu në rinovim dhe pa asnjë hapësirë alternative

Kur Teatri Kombëtar i Kosovës nuk prodhonte dhe kur Dodona prej kohësh është pa skenë të mbrëmjes, publiku kishte doemos një opsion në kryeqytet, e ky opsion ishte Teatri Oda. Nga tash e tutje shfaqjet në Prishtinë do të tkurrën. Teatrit Oda madje nuk i është caktuar asnjë hapësirë alternative, objekti do t’i nënshtrohet renovimit dhe ata që përformuan në atë skenë, për momentin nuk kanë një tjetër opsion.
Jeton Neziraj, drejtori artistik i Qendrës Multimedia, e përshkruan situatën me tone dëshpëruese:

“Kjo nënkupton një hapësirë teatrore më pak në Prishtinë dhe kjo është vërtetë shqetësuese. Nga tash, Prishtina zyrtarisht bëhet kryeqyteti i vetëm në Evropë me vetëm një gjysmë teatri funksional (që është amfiteatri i TKK-së ). Ne natyrisht, i jemi gëzuar renovimit që ka nisur në teatrin Oda, por në anën tjetër, jemi të skandalizuar që komuna s’ka bërë as përpjekjen më të vogël të na ofroj një hapësirë alternative për prova e për shfaqje. Tani dhe në vitet në vazhdim, skena teatrore në kryeqytet do të operojë siç ka operuar në të 90-tave, margjinave, në ilegalitet, skutave e periferisë … dhe kjo gjë  është  vërtetë e papranueshme, skandaloze dhe e pafalshme”, thotë ai.

Përderisa Oda do të rinovohet, Teatri po rinovohet, Muzeu është duke u rinovuar nga viti i kaluar, Galeria Kombëtare po rinovohet, publikut në Prishtinë i kanë mbetur shumë pak hapësira alternative ku mund të shkoj në mënyrë që mos ta harrojë shijen kulturore.

Ambicie të mëdha, menaxhim i vogël

Shkëlzen Maliqi e sheh periudhën e fundit si kontrast mes ambicieve të mëdha dhe kapaciteteve të vogla institucionale:

“Në një aspekt, MKRS gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes ka qenë më dorëshlirë me investime. Buxheti është dyfishuar, janë bërë përpjekje për ndarje më të baraspeshuar mes institucioneve publike dhe kulturës së pavarur… Por të gjitha këto kanë mbetur nën hijen e një pavendosmërie dhe pamundësie për t’i çuar gjërat deri në fund. Nisën shumë punë përnjëherë, por thuajse asnjëra është kryer me kohë dhe si duhet, sepse ka munguar planifikimi i duhur e mbase edhe transmisioni i realizimit të projekteve nga lartë te institucionet implementuese”, përfundon Maliqi.

Për fund Neziraj, i dëshpëruar thotë të jetë me gjendjen në terren kur flasim për objektet kulturore.

“Mendoj që  për momentin është absurde të flasim për legjislacionin e për politikat kulturore, ose për çfarëdo vizioni, ndërkohë që gjendja në teren, për sa u përket hapësirave për punë, është skandaloze. Pra, ne jemi duke folur për nevoja emergjente, bazike.. S’di, por vërtet jam shumë i dëshpëruar që 25 vite pas luftës, ne kemi ardhur në  një situatë ku, në vend se të kishim më shumë hapësira skenike në Prishtinë, kemi më  pak, në fakt, pothuajse nuk kemi fare.”, përfundon ai.

Në vend të përmbylljes

Në Prishtinë, kultura duket sikur është futur në një fazë tranzicioni të pafund. Skelat janë shenjë premtimi por edhe pengesë. Nëse dikur improvizimi ishte mënyra për ta mbijetuar mungesën, sot ai është bërë sistem. Dhe derisa artistët enden prej një skele në tjetrën, publiku e sheh kulturën e vendit të vet si një skenë të përhershme pune ku gjithçka është “në proces” dhe shpreson që së shpejti ky proces të përfundojë.

/Gazeta Express

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz