back to top
Friday, November 7, 2025
BallinaLajmeNga përplasjet e ashpra te përqafimi në fund – debat dramatik mes...

Nga përplasjet e ashpra te përqafimi në fund – debat dramatik mes Ramës e Çekut për Prishtinën

Të ngjajshme

Debati final për Prishtinën mes kandidatit të LDK-së, Përparim Rama, dhe atij të Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, i zhvilluar në emisionin Debat Plus, solli një përballje të zjarrtë vetëm pak ditë para balotazhit.

Dy kandidatët u përplasën ashpër për disa tema kryesore: buxhetin e Prishtinës, menaxhimin e mbeturinave dhe investimet kapitale në kryeqytet, transmeton lajmi.net

Përplasja për buxhetin e Prishtinës

Çështja e buxhetit të vitit 2025 hapi debatin dhe shkaktoi polemika të forta mes dy kundërshtarëve.
Rama akuzoi qeverinë se ka bllokuar qëllimisht buxhetin e Prishtinës, duke e lënë kryeqytetin pa plan financiar të miratuar.

Përparim Rama: “Asambleja e Prishtinës e ka kaluar buxhetin brenda afateve ligjore. Derisa e kemi dërguar me shkresë kërkesën tek Ministria e Financave me 17 dhjetor, e kanë neglizhuar, e kanë pasur deri me 31 janar që ta fusin në votim buxhetin e kryeqytetit, por nuk e kanë bërë. Pra, tash kryeqyteti punon pa buxhet të aprovum.
E kemi parë para disa ditësh, kryeministrin në detyrë, që vendos vet si tha ai, kur, cilat komuna e meritojnë buxhetin e cilat jo, nuk kam çka flas më tepër. Shihet qartë që Prishtina është e bllokuar qëllimisht.”

Në kundërpërgjigje, Hajrulla Çeku e quajti Ramën “të pasaktë” në deklarata, duke thënë se vet komuna është vonuar në proces.

Hajrulla Çeku: “Komuna nuk e ka miratuar buxhetin sipas afateve ligjore, që është data 30 shtator. Unë e kam udhëhequr një organizatë buxhetore dhe ende jam në detyrë dhe i di afatet. Komuna e ka miratuar tek me datën 9 dhjetor. Pastaj u janë dashur 10 ditë me e dërgu tek Ministria e Financave.
Kjo e ka bërë të pamundur përfshirjen në Ligjin e Buxhetit, i cili është miratu me 22 nëntor, sepse Parlamenti ka qenë në përfundim, ne kemi qenë duke shkuar në zgjedhje. Përveç Prishtinës, edhe Gjilani e Zubin Potoku janë vonuar me miratim të buxhetit. Nëse do të ishte tendencioze, pse do e kishim bllokuar Gjilanin? Shumë është mirë me qenë serioz dhe korrekt, me referenca ligjore, me të dhëna konkrete.”

Rama iu kundërpërgjigj me tone ironike:

Përparim Rama: “Mirë e paska mësu Dejona me fol. Po, raporti tregon që keni pasur kohë deri më 31 janar për me e kry këtë punë. Deri me 31 janar e kanë pasur Parlamentin dhe kanë mundur të kryejnë. Këto çka flet Çeku është humbje kohe sepse vet Albini ka treguar se bënë çka do vetë.”

Debati për mbeturinat – “A ta kemi blloku bërllogun edhe na?”

Diskutimi për menaxhimin e mbeturinave solli sërish përplasje të drejtpërdrejta dhe batuta mes dy kandidatëve.

Hajrulla Çeku: “Qysh bre mos me mujt bërllogun me fshi për 4 vjet. Transformime, transformime, qyteti pa bazë.”
Përparim Rama: “A e keni blloku vet në asamble?”
Hajrulla Çeku: “A ta kemi blloku bërllogun edhe na?”
Përparim Rama: “A të ka mësu Dejona qeshtu apo? E ka blloku ai djali që i ç’nuke mikrofonat.”
Hajrulla Çeku: “Nuk po di çka ki me pyet, kur nuk ka arritur që për 4 vjet me mbajt qytetin e pastër. Nëse nuk e zgjidhi për 1 vit këtë problem, nuk besoj që e meritoj detyrën e kryetarit të komunës.”

Investimet dhe vizioni për Prishtinën

Në vazhdim të debatit, Çeku prezantoi planin e tij për investime të mëdha në Prishtinë, duke folur për miliarda euro të mundshme për zhvillim dhe transformim urban.

Hajrulla Çeku: “Në Prishtinë do të investohen 1.5 miliardë euro, në mandatin e ardhshëm. Buxheti i komunës në total për 4 vitet e ardhshme shkon në 651 milionë euro, janë të komunës. Financimet që janë në pritje, të një komune që është e përgjegjshme, edhe që i menaxhon si duhet ndërmarrjet komunale, i kemi rreth 170 milionë euro.
Financime të mundshme dhe në proces, nga instrumente financiare ndërkombëtare janë mbi vlerën 450 milionë euro. Janë 1.5 miliard me synimin me i qu në 2 miliard euro investime.
Si bëhet? Me një qasje serioze, bashkëpunuese, edhe me qeverinë, edhe me partnerët ndërkombëtarë. Ne i japim zhvillim dhe transformim një Prishtine që ka pritur shumë gjatë për t’u kujdesur për qytetarët, i njeh problemet dhe e kupton buxhetin si instrument në të mirën e qytetit, jo në dobi personale.”

Rama e kundërshtoi ashpër këtë premtim, duke thënë se Çeku nuk ka arritur të realizojë as projektet e vogla në mandatin e tij si ministër.

Përparim Rama: “Dikush që nuk arrin t’i kryej 2-3 projekte e që i ka filluar para 3 vjet e gjysmë, në aspektin e ndërtesave të kulturës ekzistuese të vogla, flet për buxhet 1.5 miliard. Edhe këtë e paska marrë prej asaj që e kemi propozuar ne.
Mirë është që mendojmë njëjtë. Përveç linçimeve e propagandave, unë sot nuk dëgjova një vizion, përkundër që kërkova dhe dëshirë me dëgju këtë vizion.
Ndërsa, ne kemi një vizion të qartë të zhvillimit të kryeqytetit në të gjitha sferat. Ndërsa ky vazhdon të flas me propagandë.”

Rama shtoi se marrëdhëniet me qeverinë Kurti kanë qenë të vështira dhe akuzoi pushtetin qendror për bllokim të komunave që nuk udhëhiqen nga VV-ja.

Përparim Rama: “Bashkëpunimi me nivelin qendror duhet të jetë i mirëfilltë, duhet të jetë pozitiv sepse jemi këtu për shoqërinë, pa marrë parasysh çfarë backgroundi ke në aspektin partiak apo politik.
Dy vitet e para jam munduar shumë që të bashkëpunoj, por për fat të keq kemi pasur sabotazha të ndryshme nga niveli qendror. E tha edhe kryeministri në detyrë para disa ditëve që do t’i bllokojë komunat që, sipas tij, nuk punojnë mirë apo që qenka hajna.
Çka me thanë për këtë qeveri tjetër? Përveç që po transformohet në një autokraci që duhet të hiqet sa më parë, sepse nuk është për të mirën e shoqërisë sonë. Duhet të vijnë njerëz që punojnë, besojnë, bashkëpunojnë dhe ia duan të mirën vendit.”

Debati mes Ramës e Çekut u karakterizua nga akuza të ndërsjella, ironi dhe tone të ashpra, por në fund, pas gjithë tensioneve, dy kandidatët e mbyllën me një përqafim miqësor, duke dhënë një sinjal simbolik pajtimi para përballjes finale në balotazh.

Të dielën, qytetarët e Prishtinës do të vendosin nëse katërvjeçarin e ardhshëm do ta udhëheqë sërish Përparim Rama (LDK) apo Hajrulla Çeku (VV)./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz