Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka reaguar pas rastit të plagosjes dhe rrëmbimit të një qytetari të Kosovës në Leposaviq, duke thënë se kjo është pjesë e politikës destabilizuese të Serbisë në veri të vendit.
Në Tëvë1, Hoxha tha se ngjarje të tilla nuk janë të papritura, pasi sipas tij, Beogradi po përdor tensionet në veri për të ruajtur ndikimin politik në rajon.
Ai shtoi se ky veprim është “pjesë e strategjisë së Serbisë për të mbajtur gjallë tensionet në veri të Kosovës”.
“Fatkeqësisht, institucionet tona me të drejtë kanë konstatuar se kjo është politikë e qëllimshme e Serbisë për ta mbajtur veriun të tensionuar. Sepse vetëm një tension i ndezur mund t’i shërbejë si pretekst për rolin e saj në rajon. Prandaj, nuk është i papritur një rast i tillë dhe nuk duhet të na befasojë”, ka theksuar ai.
Sipas Hoxhës, incidenti duhet të lexohet edhe në kontekst të zhvillimeve të fundit politike në komunat me shumicë serbe.
“Këtë duhet ta lexojmë në prag të një krize të re, në prag të marrjes së pushtetit nga kryetarët e rinj në komunat me shumicë serbe, të cilët i kanë fituar pa balotazh. Tani ata po mendojnë se çfarë skenari të krijojnë në momentin që marrin drejtimin e këtyre komunave”, ka shtuar ai.