Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pasi xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V, shtetas i Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shkruar se bota demokratike duhet të reagojë lidhur me rastin e rrëmbimit të një qytetari serb të Kosovës nga xhandarmëria serbe.
E para e vendit shkroi se këto sulme të Serbisë kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajon, raporton IndeksOnline.
Osmani i është drejtuar me një thirrje edhe skenës politike në Kosovë, duke thënë se duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla.
“Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme. Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla”, ka shkruar Osmani. /IndeksOnline/