Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka qenë një ndër akterët politik me gjuhën më të ashpër dhe më ofenduese ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Ai në vazhdimësi, në shumë deklarime publike në media e ka quajtur Kurtin “bashkëpunëtor të Serbisë”, shkruan lajmi.net.
Në maj të këtij viti, Haradinaj ka deklaruar se kushdo që e ndihmon Kurtin të formoj Qeverinë Kurti 3, është “argat i Serbisë e i Rusië”.
“Sa i përket qeverisë unë jam i bindur, kushdo që e ndihmon, pra Kurti III, është argat i Serbisë e Rusisë. Këtë nuk e ndryshoj. Është serioze”, kishte thënë Haradinaj.
Ai edhe vetë Kurtin e kishte quajtur “argat të Serbisë”duke shtuar se ai dhe ekipi i tij, po ia zvogëlojnë fajin Serbisë.
“Është agjendë e Kurtit, këta tjerët janë argatë të Kurtit është agjendë me shfajësu Serbinë, pra me ja zvogëlu Serbisë fajin. Ndodhi një tubim në Banja Llukë, aty shkoi edhe Bërnabiq, BE dhe Amerika është dashtë me ja jap një qortim të madh Serbisë për procesin e udhëheqjes shtetërore serbe në Banja Llukë kundër Srebrenicës, çka ndodh tani si me bë ata këtë? Kur Kurti dhe krejt ekipa e tij shkon e ndërhyn në një shtet fqi në procesin zgjedhor. Kurti është argat i tyre, ai po ja bën ndihmën Vuçiqit që Vuçiqi mos mu dok kaq i keq, tu e marrë parasysh që edhe Qeveria e Kosovës po bën sjellje të këqija po e rrezikon daljen prej binarve euroatlantik në Maqedoni, po shkon me koncepte që do të shkaktojnë tronditje…Këto Kurti i bën me vetëdije”, ka thënë Haradinaj.
Ai Kurtin shpesh e kishte quajtur edhe mashtrues, duke deklaruar se është e pamundur të bëj një koalicion me të.
Por, këtë fjalë të tij Haradinaj nuk po e mban kur bëhet fjalë për koalicionet në nivel lokal, për balotazhin e 9 nëntorit.
Partia e tij, saktësisht kandidatja e AAK-së për kryetare të Fushë Kosovës, Vildane Latifi më 19 tetor ka “shtrënguar” duart me kandidatin e VV-së për kryetar të Fushë Kosovës, Valon Prebrezën i cili është në balotazh me kandidatin e LDK-së, Besnik Osmanin.
Koalicion mes këtyre dy partive u arrit sot edhe në Junik, shkruan lajmi.net.
Lajmin për këtë e ka dhënë kryetari i degës së AAK-së në Junik, Leonard Llolluni përmes një postimi në Facebook.
Ai ka thënë se kjo marrëveshje është rezultat i vullnetit të përbashkët për të bashkuar forcat në dobi të qytetarëve të Junikut, me synimin për të krijuar një qeverisje lokale stabile, transparente dhe të përgjegjshme.
“Ne jemi zotuar që, pas fitores në balotazh, të punojmë për zhvillimin ekonomik të Junikut, përkrahjen e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe forcimin e institucioneve komunale, duke vendosur interesin e qytetarëve mbi çdo interes partiak. Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt një kulture të re bashkëpunimi politik në komunën tonë — një bashkëpunim që ka në qendër të vetmin qëllim: zhvillimin dhe mirëqenien e Junikasve. Me këtë marrëveshje, ne po dëshmojmë se kur ka vullnet dhe vizion të përbashkët, bashkimi bëhet për të mirën e përbashkët”, ka shkruar Llolluni në Facebook.
Në takimin ku është nënshkruar kjo marrëveshje, ka qenë i pranishëm edhe deputeti nga Lista Guxo, Nezir Kraki.
Përveç këtyre dy komunave, sot VV dhe AAK kanë zyrtarizuar koalicionin edhe në Komunën e Prizrenit ku në balotazh janë Artan Abrashi i VV-së dhe kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj nga PDK.
Lajmin për këtë e ka dhënë kryetari i degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi.