Politologu Atan Muhaxhiri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka një problem politik, madje edhe personal, me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
“Sipas meje, ai ka njëfarë problemi politik, por edhe personal me PDK-n. Është një lloj obsesioni dhe demonizimi ndaj një partie që është pjesë e Kosovës, që vepron sipas ligjeve të saj dhe që ka qenë pjesë e shtetndërtimit. PDK ka një rol shumë të madh në historinë e Kosovës gjatë 25 viteve të fundit, dhe unë nuk e kuptoj këtë obsesion të tij”, tha Muhaxhiri.
Ai shtoi se mënyra e të folurit të Kurtit ka një lloj qasjeje patriarkale, duke iu referuar konferencës së sotme të kryeministrit, ku Kurti kishte folur për LDK-n dhe dëshirën e tij për ta “shkëputur” atë nga PDK.
Sipas Muhaxhirit, qasja e Kurtit është thellësisht populiste, pasi ai nuk po bën dallim mes një situate kur ka mbi 50% të votave dhe asaj kur ka më pak – siç është rasti aktual me 42%. “Kur nuk ke shumicën absolute, je i detyruar të bësh kompromise, sepse nuk ke fuqinë të vendosësh i vetëm”, tha ai në Dukagjin.
“Kur nuk i ke votat, nuk mund të sillesh sikur i ke. U pa dje – ishte zhgënjyese, ishte shumë ofenduese ndaj qytetarëve, ndaj elektoratit, ndaj atyre 42% që e kanë mbështetur. Nëse je kaq afër pushtetit dhe nuk arrin ta bësh hapin e fundit, kjo është një lloj ofendimi ndaj votuesve të tu”, përfundoi Muhaxhiri.