back to top
Thursday, October 23, 2025
BallinaLajmeStarmer në Procesin e Berlinit: Ballkani Perëndimor, vendi ku testohet siguria e...

Starmer në Procesin e Berlinit: Ballkani Perëndimor, vendi ku testohet siguria e Evropës

Të ngjajshme

Diddy kërcënohet me thikë brenda burgut në New York?

Një moment i tmerrshëm thuhet se ka ndodhur pas...

Në QNR përfundon numërimi i fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është...

Samsung prezanton Galaxy XR, konkurrenti i Apple Vision Pro me sistemin Android XR

Samsung ka zyrtarizuar Project Moohan me emrin Galaxy XR,...

Bellingham i jep goditjen e madhe Juventusit, shënon nga afërsia

Vjen goli i parë në takimin ndërmjet Real Madridit...

Kryeministri britanik, Keir Starmer, gjatë samitit të Procesit të Berlinit në Londër tha se Ballkani Perëndimor është vendi ku testohet siguria e kontinentit evropian.

“Rajoni [Ballkani Perëndimor] është përshkruar si udhëkryq i Evropës, por shpesh ka qenë poligon i testimit i Evropës – vendi ku testohet siguria e kontinentit tonë”, tha Starmer në nisje të samitit.

Në Londër, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe disa udhëheqës të Bashkimit Evropian janë takuar për të diskutuar për forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit.

Starmer, në nisje të samitit, tha se bisedimet do përqendrohen edhe në çështjet e sigurisë, migrimit, rritjes ekonomike dhe në luftën kundër “ndikimit dashakeq” të Rusisë.

“Ballkani Perëndimor për një kohë të gjatë ka qenë rrugë trazit për bandat kriminale të kontrabandës. Nuk do të dëshironit që këto banda të operojnë në territorin e juaj sepse do të vuanit pasojat e veprimeve të tyre”, tha Starmer.

Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e themeluar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila synon afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian.

Kurti në Procesin e Berlinit: Serbisë nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri

Kosova në këtë samit u përfaqësua nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Gjatë fjalimit në një nga sesionet, Kurti tha se përparimet e bëra në shtetin e tij mbesin nën “hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm” nga Serbia, duke kërkuar që Beogradi të mos lejohet që të veprojë “me pandëshkueshmëri”.

Kurti, së bashku me udhëheqës të tjerë, gjatë samitit të Procesit të Berlinit.
Kurti, së bashku me udhëheqës të tjerë, gjatë samitit të Procesit të Berlinit.

Kurti theksoi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e vitit 2023, nuk duhet të injorohet.

Ai kujtoi se për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – por, ai nuk po përballet me drejtësi.

“Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha Kurti, sipas fjalimit të publikuar në Facebook.

Kosova vazhdimisht ka kërkuar që Serbia ta ekstradojë Radoiçiqin, teksa në vend po mbahet gjykimi ndaj tre nga dhjetëra të akuzuar për Banjskën, kur një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra nga një grup i serbëve të armatosur.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që përgjegjësit për Banjskën të përballen me drejtësi.

Gjatë samitit, Kurti kërkoi që të ketë një unitet për t’iu bërë ballë presioneve të jashtme, por edhe “dyshimeve të brendshme”.

“Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum”, tha Kurti.

Sipas tij, teksa po vazhdon lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, Londra “mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë”.

Në samit morën pjesë udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, dhe Maqedonia e Veriut, si dhe përfaqësues nga Gjermania, Franca dhe anëtarë të tjerë të BE-së.

Në samit, Shqipëria u përfaqësua nga kryeministri Edi Rama, Serbia nga kryeministri Gjuro Macut, Malin e Zi e përfaqësoi kryeministri Millojko Spajiq, Maqedoninë e Veriut kryeministri Hristijan Mickoski, ndërsa Bosnjën kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto.

Në këtë samit morën pjesë edhe kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz.

Një ditë para samitit, të martën, Mbreti britanik Charles III e organizoi një pritje për pjesëmarrësit.

Ministria e Jashtme e Britanisë tha në një komunikatë se udhëheqësit do të bisedojnë për stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, ku lufta kundër migracionit të paligjshëm, veçanërisht në rrugët kryesore të kontrabandës, do të theksohet si temë kyç.

Para nisjes së samitit, Britania pret që ky takim ta forcojë bashkëpunimin e saj me partnerët evropianë për të zbatuar strategjinë e Qeverisë për t’i forcuar kufijtë, për t’i goditur bandat dhe për t’i kthyer ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vendet e tyre të origjinës.

Gjithashtu, ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar po kërkon të rindërtojë marrëdhënien e saj me BE-në.

Deri më tani, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së janë takuar 11 herë: katër herë në Berlin dhe nga një herë në Londër, Vjenë, Paris, Trieste, Poznan, Sofje dhe Tiranë./REL/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz