back to top
Wednesday, October 22, 2025
BallinaLajmeDyshimet për helmim të nxënësve, shkolla “7 Shtatori” del me njoftim

Dyshimet për helmim të nxënësve, shkolla “7 Shtatori” del me njoftim

Të ngjajshme

Gjatë ditës së sotme, është raportuar se disa nxënës të shkollës “7 shtatori” në Vitomiricë të Pejës, dyshohet se janë helmuar me ushqim.

Ndonëse është raportuar se rasti dyshohet të ketë ndodhur të hënën, nga shkolla në fjalë kanë thënë se simptomat, nxënësit i kanë shfaqur të matën.

Sipas njoftimit të ShFMU “7 Shtatori”, tetë nxënës janë trajtuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vitomiricë.

“Në SHFMU ‘7 Shtatori’ në Vitomiricë, ku vijojnë gjithsej 664 nxënës dhe mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe gjuhën boshnjake, më datë 21.10.2025, pas orës së katërt mësimore janë paraqitur disa raste të nxënësve me simptoma si: vjellje, marramendje dhe ndjesi të përgjithshme lodhjeje”.

“Menjëherë pas vërejtjes së rasteve, kujdestarët e klasave kanë njoftuar prindërit, ndërsa drejtori i shkollës ka njoftuar Drejtorinë e Arsimit (DKA) për situatën, duke informuar se ekziston dyshimi për helmim të mundshëm”.

“Në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vitomiricë janë paraqitur tetë nxënës, të cilët janë trajtuar nga personeli mjekësor dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë shkolla në fjalë në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale.

Aty u tha se mësimi gjatë ditës së sotme, më 22.10.2025, është zhvilluar pa pengesa, “dhe të gjithë nxënësit janë në procesin e rregullt mësimor”.

Drejtuesit e shkollës thanë se në objektin e tyre nuk ka vende shitjeje të pijeve apo ushqimeve dhe se nxënësit furnizohen me ushqim dhe pije nga lokalet jashtë shkollës.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha gjatë ditës për Klankosova.tv se shtatë nxënës kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

“Pasi kemi pranuar informacionin Prokurori kujdestar e ka autorizuar policinë për mbledhjen e informacioneve të nevojshme lidhur me rastin. Ka dyshime se janë helmuar disa nxënës në Vitomiricë. Shtatë nxënës kanë kërkuar trajtim mjekësor”, deklaroi Nikçi.

“Aktualisht është intervistuar drejtori i shkollës deri pritet të intervistohen edhe persona të tjerë. Jemi duke pritur rezultatet nga Inspektorati Sanitar i Punës dhe do të shohim nëse kemi të bëjmë me helmim. Për detaje do t’ju njoftojmë me kohë”, tha ai.

Nikçi nuk bëri të ditur nëse ka ndonjë person të ndaluar apo arrestuar për këtë ngjarje.

Ndërkaq, policia bëri me dije se nxënësit dyshohet se u helmuan në një lokal pranë shkollës së lartpërmendur.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi tha se Drejtoria e Shkollës u njoftua rreth orës 10 të mëngjesit se nxënësit kishin shqetësime shëndetësore.

“Disa prej nxënësve janë bartur me autoambulancë për në QMF-në aty afër dhe kanë marrë tretman mjekësor, e më pas janë liruar në shtëpi. Me urdhër të prokurorit është ftuar për intervistim drejtori i shkollës, i cili e ka dhënë deklaratën e tij. Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse”.

Redaksia ka kontaktuar edhe drejtorin e Arsimit në këtë komunë, Naser Gega, i cili pohoi se është i informuar për rastin.

“Po, jemi informuar për një rast që ka ndodhur atje. Nuk kam shumë informacione lidhur me rastin. Po thuhet se janë 30 nxënës, por ende nuk dihet numri i saktë”, deklaroi Gega.

“Jam duke shkuar te kjo shkollë për t’u njoftuar nga afër me rastin dhe pastaj dalim me detaje. Sipas informacioneve që kam, nuk ka qenë ndonjë rast tepër i rëndë. Nxënësit kanë pasur dhimbje barku dhe kanë marrë trajtim mjekësor”.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz