Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), të cilat filluan një ditë pas ditës së zgjedhjeve lokale, janë afër përfundimit, ndërkaq në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vijuar dita e dytë e numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, tha për lajmi.net se gjatë ditës, ky institucion do t’i publikojë edhe rezultatet nga numërimi i votave nga jashtë, i cili pritet të zgjasë deri ditën e hënë.
Sipas këtij institucioni, deri në orën 10:00 të ditës së shtunë (18 tetor) aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit janë përmbyllur në 34 komuna, si: Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan, Ranillug, Partesh (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog, Skenderaj (e mërkurë), Viti, Rahovec, Suharekë, Dragash, Kaçanik, Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj, Kamenicë, Drenas, Vushtrri (e enjte), Gjakovë, Graçanicë dhe Mitrovicë e Jugut, Podujevë, Pejë, Kllokot dhe Leposaviq (e premte).
Prishtina, Prizreni, Gjilani dhe Malisheva mbeten komunat që ende nuk kanë përmbyllur verifikimin e rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe verifikimin e rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale, si dhe numërimin e votave të kandidatëve për Kuvende Komunale.
Po ashtu zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për lajmi.net, se sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të së shtunës, janë verifikuar rezultatet për 2,463 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 2,446 vendvotime.
“Nga po kaq vendvotime, 2,446, janë numëruar votat e kandidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 4,909”, u shpreh Elezi.
Ndërkaq, ai ka thënë se është duke vazhduar procesi i numërimit të votave që i takojnë votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025.
Siç thotë Elezi, gjatë ditës së parë janë numëruar 14 kuti në të cilat janë të vendosura pakot me fletëvotime të supozuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 9 kuti të tjera nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. /Lajmi.net/