Sot ka nisur numërimi i 29,638 votave të ardhura nga diaspora, të cilat përbëjnë rreth 1.4% të totalit të votave të dhëna në zgjedhjet lokale.
Edhe pse përqindja duket e vogël, sipas vlerësimeve të Eugen Cakollit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ato mund të ndryshojnë në mënyrë thelbësore fatin e garës në disa komuna, qoftë duke përcaktuar nëse do të ketë balotazh, qoftë në renditjen përfundimtare të kandidatëve, transmeton lajmi.net.
Komunat që mund të ndikohet drejtpërdrejt nga votat jashtë vendit janë:
- Deçan: Fitorja në raund të parë e Bashkim Ramosajt (AAK) varet nga marrja e mbi 33% të votave të diasporës. Përndryshe, gara shkon në balotazh me LDK-në.
- Gjakova: Ardian Gjini (AAK) mund ta fitojë pa balotazh vetëm nëse merr rreth 90% të votave të diasporës – një skenar i vështirë.
- Gjilani: Alban Hyseni (LVV) ka nevojë për mbi 57% të votave jashtë vendit për të shmangur balotazhin.
- Dragashi: Bexhet Xheladini (LDK) dhe Filiz Mustafa (LVV) kanë nevojë për mbi 83–85% të votave jashtë vendit për të fituar në raund të parë.
- Kaçaniku: Sabedin Vishi (PDK) duhet të marrë mbi 21% të votave jashtë vendit për të ruajtur vendin e parë.
- Klina: Zenun Elezaj (AAK) ka nevojë për mbi 73% të votave jashtë vendit për të mbyllur garën në raund të parë.
- Kamenica: Kadri Rahimaj (LVV) duhet të fitojë të paktën 42% të votave jashtë vendit për të shmangur balotazhin me Qëndron Kastratin (PSD).
- Mitrovica e Jugut: Arian Tahiri (PDK) duhet rreth 48% të votave jashtë vendit për të ruajtur vendin e parë ndaj Faton Pecit (LVV).
- Rahoveci: Burim Krasniqi (LDK) duhet të fitojë rreth 58% të votave jashtë vendit për të kaluar Ali Dulën (LVV).
- Prishtina: Balotazhi mes Përparim Ramës (LDK) dhe Hajrulla Çekos (LVV) është i sigurt, por diaspora mund të ndryshojë renditjen. Rama ruan vendin e parë nëse merr mbi 15% të votave jashtë vendit.
- Shtimja: Qemajl Aliu (LVV) mund të fitojë në raund të parë vetëm nëse merr rreth 42% të votave jashtë vendit.
- Vitia: Arsim Ademi (LVV) duhet të marrë rreth 80% të votave jashtë vendit për të kaluar Sokol Halitin (LDK).
- Juniku: Ruzhdi Shehu (LDK) dhe Agron Kuçi (AAK) mund të përcaktohen nga votat jashtë vendit për vendin e parë dhe të dytë.
- Mamusha: Abdülhadi Krasniç (KDTP) mund të shkojë në balotazh nëse nuk fiton mbi 45% të votave jashtë vendit, ndërsa Fikret Morina (MHH) shpallet fitues nëse merr rreth 75% të tyre.
- Hani i Elezit: Mehmet Ballazhi (PDK) fiton nëse merr të paktën 33% të votave jashtë vendit, ndërsa Rufki Suma mund të përmbysë rezultatin vetëm nëse fiton mbi 67% të tyre.
Eugen Cakolli nga IKD vlerëson se, përkundër përqindjes së ulët, votat e diasporës mbeten një faktor vendimtar që mund të përcaktojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në këto komuna./lajmi.net/