Vetëm pak orë pasi në media u publikua një fotografi ku shihej duke biseduar e përshëndetur kandidatin e PDK-së në Mitrovicën e Jugut, Arian Tahirin, kandidati i Vetëvendosjes për Gjilanin, Alban Hyseni, doli me një postim në mbështetje të kandidatit të GUXO-s, Faton Pecit.
Në postimin e tij, Hyseni shkruan se “me kënaqësi të madhe” e ka vizituar mikun e tij, Faton Pecin, në Mitrovicë të Jugut, duke e uruar për “rezultatin e jashtëzakonshëm” në raundin e parë.
Ai e përshkruan Pecin si njeri me “vizion e përgjegjësi”, që ka “lënë rezultate të prekshme” si ministër i Bujqësisë, transmeton lajmi.net.
Por fakti që ky postim erdhi menjëherë pas publikimit të fotografisë me kundërkandidatin e Pecit, është parë nga shumëkush si një përpjekje e Hysenit për të zbutur përshtypjet që la takimi i tij me kandidatin e PDK-së./lajmi.net/