Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim zyrtar Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po qëndron për vizitën e saj të pestë në Kosovë që nga viti 2021. Kjo vizitë konsiderohet dëshmi e marrëdhënieve të mira dhe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Presidentes von der Leyen për rrugën evropiane të Kosovës, duke theksuar nevojën që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe të ndërmarrë hapa konkretë për dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën, transmeton lajmi.net.
Temat kryesore të diskutimit përfshinë thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, progresin në reformat e brendshme, sundimin e ligjit, sigurinë, si dhe zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.
Kryeministri Kurti nënvizoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e kaluar, duke i cilësuar ato si të lira dhe demokratike, në përputhje me standardet më të larta evropiane. Ai theksoi nevojën për një tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku do të ketë ndërrim të qeverisjes, në përputhje të plotë me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Po ashtu, theksoi përkushtimin e Qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga çdo ndërhyrje e jashtme.
Në funksion të thellimit të bashkëpunimit ekonomik me Bashkimin Evropian, dhe në kuadër të iniciativës “Single Market Highway”, Kryeministri Kurti i dorëzoi Presidentes von der Leyen tri letra zyrtare, përmes të cilave Kosova shpreh interesin për të nisur dialog strategjik në tre sektorë me prioritet: Bujqësia, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), si dhe Industria e Mbrojtjes – fusha në të cilat vendi ka avantazh krahasues dhe potencial të lartë zhvillimi.
Në përmbyllje të takimit, Kryeministri falënderoi Presidenten von der Leyen për lidershipin e saj të qëndrueshëm dhe partneritetin e ngushtë me popullin e Kosovës, si dhe për vëmendjen e vazhdueshme që i kushton rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Komunikata e plotë:
Kryeministri Kurti mirëpriti Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen