Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se rezultatet që aktualisht po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale janë rezultatet preliminare, të mbledhura drejtpërdrejt nga vendvotimet, dhe jo ato që dalin nga procesi zyrtar i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, sqaroi se deri të dielën mbrëma është përmbyllur numërimi në 2,571 vendvotime të rregullta, nga ku janë publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe Kuvendet Komunale.
“Në ndërkohë, mund të ndodhë që të bëhet ndonjë përditësim nga ndonjë vendvotim ku kanë munguar të dhënat. Por, rezultatet që aktualisht referohen nga mediat nuk janë pjesë e procesit të ri që ka nisur të hënën në QKN-të,” – theksoi Elezi.
Ai shtoi se së shpejti, në platformën zyrtare të rezultateve të KQZ-së, do të hapet një hapësirë e re për rezultatet nga Qendrat Komunale të Numërimit, ku do të publikohen:
-
Rezultatet për Kryetarë të Komunave,
-
Rezultatet e subjekteve politike për Kuvendet Komunale,
-
Votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Zëdhënësi Elezi rikujtoi se, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për QKN-të, përveç numërimit të votave të kandidatëve për Kuvendet Komunale, në këto qendra bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga formularët e plotësuar në vendvotime pas përfundimit të procesit të votimit.
KQZ fton të gjithë qytetarët dhe mediat që të ndjekin vetëm burimet zyrtare për informacione të sakta dhe të verifikuara në lidhje me procesin zgjedhor.
Postimi i plotë: