Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka përsëritur thirrjen për partitë dhe subjektet politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë zgjedhjeve.
Për të siguruar integritetin zgjedhor, respektimin e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kjo agjenci ka disa kërkesa për partitë:
sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;
mos përdoren të dhënat kontaktuese të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo në forma të tjera për qëllime të marketingut politik;
respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë komunikimin pas paraqitjes së kundërshtimit;
shmangin çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse përkatëse, përfshirë vlerësimin paraprak të ndikimit mbi të dhënat personale kur është e nevojshme;
sigurojnë transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika te qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme.
Agjencia ofron bashkëpunim me Partitë dhe Subjektet Politike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe ju bën thirrje Partive dhe Subjekteve Politike që gjatë mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të dhënat personale të qytetarëve mbrohen dhe ruhen në përputhje me kërkesat ligjore.