
Tetori është muaji që i dedikohet ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit të gjirit.
Përgjatë gjithë muajit, Ministria e Shëndetësisë do të realizojë fushatë ndërgjegjësuese rreth kësaj sëmundjeje, rreziqet që paraqet, trajtimit të saj, si dhe mbi të gjitha, do të ofrojë kontrolle pa pagesë.
Në një deklarim për IndeksOnline, nga ministria pohojnë se bashkë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike po punojnë në realizimin e aktiviteteve të parashikuara për këtë muaj. Madje, është caktuar një grup punues që në mënyrë të vazhdueshme po monitoron aktivitetet me rëndësi.
“Sa i përket mamografit mobil, ekziston një interesim i madh nga gratë që po shkojnë për ta bërë mamografinë.
Ndryshe nga vitet e kaluara, disa komuna kanë funksionalizuar mamografin statik nëpër qendrat e mjekësisë familjare, por ende ka disa komuna që nuk kanë arritur ta bëjnë këtë.
Për këtë arsye, i kemi përfshirë ato në kalendarin e mamografit mobil, i cili brenda një dite mund të realizojë vetëm 15 mamografi, ndaj interesi është më i madh se kapaciteti, mirëpo, gratë udhëzohen që më pas të shkojnë në qendrën më të afërt për të bërë mamografin”, thuhet në përgjigjen e MSH-së, për IndeksOnline.
Duke ritheksuar se mamografia është pa pagesë në të gjithë territorin e Kosovës që nga viti i kaluar nga Ministria pohojnë se do të presin përfundimin e fushatës për të marrë të dhënat e plota për shfrytëzimin e mamografit.
“Aktivitetet, përveç mamografisë, përfshijnë edhe ligjërata nëpër shkolla, podcaste në RTK, si dhe aktivitetet e organizatave dhe kompanive që po e mbështesin këtë kauzë të përbashkët për ndërgjegjësim dhe parandalim. Kjo kauzë është jo vetëm e rëndësishme, por edhe jetike për gratë dhe vajzat në rend të parë”, deklaroi ministria.
Ndërgjegjësimi dhe trajtimi i kësaj sëmundjeje është tejet i rëndësishëm, e në shumicën e rasteve edhe vendimtar. Vetëm vitin e kaluar, në Kosovë janë regjistruar 640 raste të reja me kancer në gji./IndeksOnline/
