
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka vendosur të afrojë një tjetër lojtar në vend të Adrion Pajazitit të dëmtuar. Dhe nuk është një nga emrat që ka pasur më parë në grumbullime, ndonëse deklaroi se nuk kishte kohë për eksperimente para Serbisë.
FSHF bëri të ditur se ekipit do t’i bashkohej Nazmi Gripshi, mesfushori, i cili ka shkëlqyer me parë me fanellën e Teutës, Skënderbeut e Ballkanit. Së fundmi ai është bërë protagonist kryesor i skuadrës së Astanës në kampionatin e futbollit në Kazakistan. Golat dhe asistet e tij kanë kthyer Astanan në pretendenten kryesore për titullin kampion dhe për mesfushorin., kjo ftesë ishte deri diku e pritshme.
Vetë Silvinjo deklaroi në konferencë për shtyp ku prezantoi listën për Serbinë se kishte 6 muaj që ndiqte lojtarin dhe nuk hodhi poshtë mundësinë që në të ardhmen ta bënte pjesë të grupit kuqezi, gjë që ka ndodhur më shpejt se sa kishte planifikuar tekniku për shkak të situatës me dëmtimet.