Dy shoferë janë ndëshkuar nga Policia e Kosovës pasi u kapën duke bërë gara shpejtësie në rrugën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është identifikuar më 25 shtator nga njësitet policore të Stacionit Policor Rahovec, bazuar në raportimet e qytetarëve dhe verifikimin e kamerave të sigurisë. Gara e paligjshme ishte zhvilluar më 22 shtator.
“Njërit nga shoferët i është shqiptuar gjoba prej 500 euro, i janë shqiptuar 4 pikë negative dhe është marrë masa e ndalimit të drejtimit të automjeteve për 12 muaj. Ndërsa shoferit tjetër i është bërë fletëparaqitje për gjykatë për kundërvajtjen në fjalë, si dhe për ngasje pa patentë-shofer, në kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka apeluar tek qytetarët që të respektojnë rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor, duke theksuar se “shpejtësia mbi normat e lejuara dhe pjesëmarrja në gara të paligjshme paraqesin rrezik të madh për jetën dhe sigurinë e qytetarëve”.