Në një takim në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan Donald Trump i tha homologut ukrainas Volodymyr Zelensky se është i gatshëm të heqë kufizimet mbi përdorimin armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi nga ana e Kievit për të sulmuar objektiva brenda territorit rus, përfshirë raketat Tomahawk.
Lajmin e konfirmoi për Wall Street Journal një zyrtar i lartë në SHBA. Ishte lideri ukrainas ai që i kërkoi Trumpit më shumë raketa me rreze të gjatë veprimi dhe miratimin për t’i përdorur ato për të goditur brenda tokës ruse. Manjati u përgjigj se nuk është kundër kësaj ideje, megjithatë nuk ka marrë një zotim konkret për vënien e saj në jetë.
Sipas ekspertëve, nevojat e Ukrainës mbeten në përputhje me muajt e mëparshëm – mbrojtje ajrore, interceptorë, sisteme, raketa dhe artileri. Sakaq, kreu i shtetit bjellorus Aleksandër Lukashenko riafirmoi ambiciet e tij si ndërmjetës ndërkombëtar, duke propozuar një dialog të paprecedentë trepalësh midis Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, shoqëruar me oferta të reja energjike dhe diplomatike. Pas një takimi në Moskë me Vladimir Putinin, i cili zgjati mbi pesë orë, Lukashenko deklaroi se presidenti rus kishte hartuar një propozim për t’i dhënë fund luftës që po vijon.
Ky propozim, sipas tij, i ishte komunikuar tashmë Presidentit Trump, të cilin Putini e takoi në Alaska në mesin e gushtit. Ndërsa nuk hyri në detaje specifike, Lukashenko deklaroi se plani gëzon mbështetje të gjerë në qarqet amerikane, duke nënkuptuar se ai kishte vepruar si ndërmjetës midis dy fuqive.
Top Channel