back to top
Saturday, September 27, 2025
BallinaLajmeRrritja e kamatave për kredi – ekspertët përmendin politikat e BQK, inflacionin...

Rrritja e kamatave për kredi – ekspertët përmendin politikat e BQK, inflacionin dhe krizën institucionale si arsye

Të ngjajshme

Sërish shfaqen dronët, shihen mbi bazat ushtarake daneze

Dronët janë parë pranë objekteve ushtarake, përfshirë bazën më...

Vjen më në fund goli, Sesko shënon golin e parë me Unitedin

Manchester United ka shënuar golin e parë të tyre...

Aksidentohet eskorta e Kryetarit të Kuvendit, Policia jep detaje

Një aksident trafiku ka ndodhur të shtunën në mëngjes...

Polonia zgjat mbrojtjen për refugjatët ukrainas

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka rarifikuar ligjin që...

Normat e interesit në bankat komerciale në Kosovë kanë shënuar rritje të ndjeshme nga muaji i kaluar, duke rënduar buxhetet familjare dhe planet investuese të bizneseve, shkruan Radio Evropa e Lirë

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, duke u paraqitur si klientë të interesuar, testuan tregun bankar në fund të gushtit.

Dallimi ishte i dukshëm: disa banka ofruan kredi me norma interesi mbi 7%, njëra 8% – nga rreth 6% sa ishin më parë – ndërsa për bizneset normat ngjiteshin mbi 10%.

Punonjësit bankarë dhanë përgjigje të ngjashme: “Kamatat janë rritur shumë”, por askush nuk dha një shpjegim të qartë pse.

Në pyetjet drejtuar disa bankave për këtë çështje – përfshirë Raiffeisen, BKT, ProCredit, NLB, TEB dhe BPB – Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje.

Por, rritjen e konfirmon Banka Qendrore e Kosovës (BQK), edhe pse me shifra më të ulëta nga sa e paraqesin bankat.

Sipas të dhënave të BQK-së, dërguar REL-it, norma mesatare e interesit në kredi në korrik të vitit 2025 ishte 6.38%, nga 6.17% një vit më parë.

Sipas punonjësve bankarë, rritja faktike nisi nga gushti e këndej.

Faktorët që ndikuan në rritjen e kamatave

Ekspertët financiarë thonë se rritja e normave të interesit lidhet kryesisht me tre faktorë: politikat e Bankës Qendrore të Kosovës, inflacionin dhe krizën institucionale.

Ish-guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, shpjegon se një ndikim të madh ka pasur rritja e rezervave të detyrueshme që bankat duhet t’i mbajnë.

Derisa më parë bankat mbanin kapital prej 8% deri në 12% të aseteve të rrezikuara, nga qershori i këtij viti BQK-ja e ka rritur këtë normë në 10% deri në 14%.

Kjo do të thotë se për çdo kredi të dhënë, bankat duhet të mbajnë më shumë kapital rezervë. Dhe, për ta kompensuar këtë “bllokim kapitali”, bankat shpesh rrisin normat e interesit ndaj klientëve, thotë Mehmeti.

“Për shembull, nëse një bankë jep kredi prej 100 milionë eurosh, më parë duhej të mbante tetë milionë euro kapital, ndërsa tani janë dhjetë milionë – dy milionë euro më shumë të bllokuara që nuk mund të përdoren për kredi të reja”, shpjegon Mehmeti, themelues i Institutit Hulumtues për Ekonomi dhe Financa, për Radion Evropa e Lirë.

Kjo çështje ishte e rregulluar me Rregulloren për Adekuatshmërinë e Kapitalit të Bankave, të vitit 2015, që përcaktonte mbajtjen e kapitalit nga 8% deri në 12% të totalit të aseteve të rrezikuara.

Por, BQK-ja konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka vendosur një shtesë prej 2% mbi asetet me rrezik.

Ky vendim u mor vitin e kaluar, por zbatimi i tij nisi në qershor dhe synon “të forcojë qëndrueshmërinë e sektorit financiar në Kosovë”.

Mehmeti thotë se një tjetër arsye për rritjen e normave të interesit është edhe rritja e inflacionit.

Në gusht të këtij viti, inflacioni arriti në 4.5%, krahasuar me 1.4% në gusht të vitit të kaluar.

“Kur çmimet rriten, paraja humb vlerë”, thotë Mehmeti dhe, për t’u mbrojtur nga kjo humbje, bankat rrisin normat e interesit.

“Inflacioni i lartë rrit rrezikun që qytetarët të mos përballojnë pagesat e kredive, pasi shpenzimet e përditshme janë më të larta. Kjo i shtyn bankat të kërkojnë një prim më të madh për rrezikun, duke çuar në kamata më të larta”, shton Mehmeti.

Përveç faktorëve ekonomikë, profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se në rritjen e normave të interesit ka ndikuar edhe kriza politike.

Kosova, tash e sa muaj, është me Qeveri në detyrë dhe pa Kuvend të konstituuar plotësisht.

Bektashi thotë se mosmarrja e donacioneve apo kredive ndërkombëtare, që kërkojnë miratim me dy të tretat e votave në Kuvend, ka zvogëluar qarkullimin e euros në treg.

“Mungesa e parasë ul ofertën dhe rrit kërkesën për kredi, duke shtyrë bankat t’i rrisin kamatat”, shpjegon Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Për shkak të bllokadës institucionale, tetë marrëveshje ndërkombëtare për financime dhe kredi me Bashkimin Evropian, të publikuara vitin e kaluar në faqen zyrtare të Kuvendit, nuk janë miratuar ende.

Si për Mehmetin, ashtu edhe për Bektashin, situata është interesante për tregun bankar, pasi normat e interesit për kredi po rriten, ndërsa ato për depozita më ngadalë.

Bektashi thotë se ulja e normave të interesit për kredi mund të arrihet përmes rritjes së konkurrencës.

“Të licencohen banka të reja që të hyjnë në tregun e vendit, në mënyrë që t’i detyrojnë bankat ekzistuese t’i ulin normat e interesit”, thotë Bektashi, duke shtuar se fitimet e bankave, aktualisht, janë të larta.

Bankat komerciale në Kosovë i përcaktojnë individualisht normat e interesit dhe të depozitave, duke u bazuar në politikat e tyre afariste, dhe BQK-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë direkt te to.

Sipas BQK-së, tregu bankar funksionon si një treg i lirë, ku kushtet e tregut përcaktojnë koston e fondeve dhe të kredive.

Në Kosovë operojnë 11 banka komerciale, ndërsa funksionojnë edhe nëntë institucione mikrofinanciare që ofrojnë kredi për qytetarët. Megjithëse kushtet e këtyre të fundit janë më të lehta, normat e interesit që aplikojnë janë dukshëm më të larta, rreth 20 për qind.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz