Për herë të parë që nga hapja e hetimit gjyqësor që e shihte si të dyshuar për një sulm seksual, Achraf Hakimi ka folur edhe publikisht.
Mbrojtësi i djathtë i Paris Saint-Germainit dhe i Kombëtares marokene e bëri këtë në një intervistë ekskluzive për “Clique”, e cila do të transmetohet sonte e plotë në “Canal+”, përcjell “Gazeta Express”.
“Gjëja më false që është thënë për mua? Dhuna ndaj një vajzë”, deklaroi fillimisht ai.
“Ishte goditja më e madhe që e kam pësuar, për mua dhe për familjen time. Fëmijët e mi janë të vegjël dhe një ditë do ta lexojnë atë që është shkruar: imagjinoni ata duke gjetur akuza të tilla për babanë e tyre, duke e ditur se janë gënjeshtra, kjo të bën të ndihesh keq”, vazhdoi ai.
Ish-futbollisti i Real Madridit, Borussia Dortmundit dhe Interit më pas e kujtoi momentin kur e kuptoi që ishte bërë një denoncim ndaj tij.
“Ma tha avokatja ime. E dinim se do të mundë të ndodhte. Jam i qetë, e di se kush jam, e di se nuk kam bërë asgjë të keqe dhe nuk do të bëj kurrë. Kam kërkuar vetë unë që të flas me policinë dhe që ta vë në dispozicion ADN-në time. Në anën tjetër, personi që akuzon nuk ka bashkëpunuar. Falë punës së policisë, kanë dalë informacione të rëndësishme”, vazhdoi ai.
Mbrojtësi maroken, i cili përfundoi i gjashti në garën për Topin e Artë, e pranoi se e ka ndryshuar rrethin e miqve pas këtij rasti.
“Në futboll ne jemi të ekspozuar ndaj shumë rreziqeve, përfshirë këtu edhe shantazhin. Pas këtij incidenti, e kam ngushtuar ndjeshëm rrethin tim të besimit”, nënvizoi ai.
Në fund, Hakimi i sulmoi edhe mediat. “Ata e kanë njollosur emrin dhe dinjitetin tim duke folur pa e ditur situatën. Nuk dua që askush të akuzohet padrejtësisht”, përfundoi futbollisti kualitativ. /Gazeta Express