Ish-diplomati, John Stewart Duncan sot po jep dëshminë e tij në Hagë, si dëshmitar i mbrojtjes së Thaçit.
Ai tregoi se ishte autori i marrëveshjes për çarmatimin e UÇK-së, e cila tha se zanafillën e ka nga bisedat e tij me gjeneralin Michael Jackson.
“Së pari dua të iu shpjegoj pse po flisja unë me të. Detyra ime është që të mbuloja çështjet e Kosovës ndërkohë që Mike Durk ishte për çështjet e Serbisë. Ne bisedonim me njëri tjetrin dhe ndanim informacione. Ai bashkë me gjeneralin Jackson ishte duke u marrë me Marrëveshjen e Kumanovës, unë isha në Bruksel dhe roli i m kryesor ishte të ndiqja çfarë po ndodh në Uashington dhe kryeqytete të tjera të botës. Kishte ndryshime të orës, por ajo çka ndodhte ishte se kryeqytetet na informonin, ne bënim bisedat dhe ndryshimet mbi bazën e bisedave tona dërgoheshin përsëri në kryeqytete dhe ata na njoftonin për zhvillimet tjera. Roli im ishte ta njoftoja gjeneralin Jackson për zhvillimet”, ka thënë ai.
Ai ka treguar për një shqetësim të gjeneralit Jackson.
“Në këto biseda ai ishte i shqetësuar se nuk kishte asnjë mekanizëm për tu marrë me UÇK-në dhe vlerësoi se UÇK-ja të përbehej nga rreth 20 mijë luftëtarë gueril. Ai ishte pranë momentit të dislokimit në Kosovë, por nuk kishte asnjë marrëveshje të ngjashëm me marrëveshjen teknike ushtarake që do ta lejonte atë të krijonte një kornizë për të pasur një marrëdhënie me UÇK-në”, ka thënë ai.
Duncan u pyet nëse përveç gjeneralit Jackson do të duhej të merrte edhe miratimin e dikujt tjetër për hartimin e kësaj marrëveshje, për çka tha jo.
“Jo, për fillimin e hartimit sepse kjo është natyra e punës së një diplomati por në momentin kur kisha shkruar një projekt fillestar të marrëveshjes, normalisht që më duhej miratimi për të vazhduar më tej. Unë e shkrova dhe e kisha gati projektin fillestar të marrëveshjes gjatë negociatave. Negociatat përfunduan me 9 qershor. Drafti ka qenë gati më 9 qershor. Unë e kisha diskutuar përmbajtjen e tij me kryeqytetin tim dhe kisha një skicim se çka pritej të arrinte ky dokument”, ka thënë ai.
Ai ka treguar më tutje edhe qëllimin e kësaj marrëveshje.
“Qëllimi i kësaj marrëveshje ishte të lejonte demilitarizimin e lejuar dhe të përgjegjshëm të UÇK-së dhe të FARK-ut, dhe të lejonte KFOR-in që të realizonte detyrimet që ishin përcaktuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit”, ka shtuar Duncan. /Lajmi.net/