Keir Starmer e kishte paralajmëruar Izraelin që në korrikun e kaluar të ndryshonte kurs në ofensivën e tij të përgjakshme në Gaza. Kryeministri Netanyahu nuk e dëgjoi dhe kështu, kryeministri britanik, së bashku me Australinë dhe Kanadanë, e në mbrëmje edhe Portugalia, shpalli dje, 21 shtator 2025, njohjen zyrtare të shtetit palestinez.
“Pamjet e dhunës, urisë dhe vuajtjes në Gaza janë të patolerueshme,” komentoi kryeministri britanik. “E morëm këtë vendim për të rikthyer shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët dhe për një zgjidhje me dy shtete”.
Bëhet fjalë për një vendim historik për diplomacinë britanike, pas mandatit britanik mbi Palestinën dhe deklaratës Balfour të vitit 1917, që hapi rrugën për krijimin e Izraelit. Një vendim që Starmer nuk e ka marrë lehtë: gruaja dhe vjehrrit e tij janë hebrenj, ndërsa ai ka “pastruar” partinë nga akuzat për antisemitizëm, që rëndonin mbi paraardhësin e tij, Jeremy Corbyn. Megjithatë, Partia Laburiste kishte tashmë të parashikuar njohjen e shtetit palestinez në programin e saj qeverisës dhe mbi të gjitha, presioni nga krahu i majtë i partisë ishte bërë i papërballueshëm, shkruan Repubblica.
“I bëjmë sërish thirrje qeverisë izraelite të heqë kufizimet e papranueshme në kufi, të ndalë këto taktika çnjerëzore dhe të lejojë futjen e ndihmave,” shpjegon Starmer. “Së bashku me veprimet e Hamasit – që duhet të lirojë menjëherë pengjet, të cilin do të vazhdojmë ta sanksionojmë dhe që nuk do të ketë më kurrë rol në Lindjen e Mesme – qeveria izraelite po e përshkallëzon konfliktin dhe po e shuan shpresën për një zgjidhje me dy shtete. Por nuk mund të lejojmë që ajo dritë të shuhet”.
Kështu, tashmë janë 148 vende që njohin shtetin palestinez, dhe ky numër pritet të rritet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në këto ditë, me Belgjikën, Luksemburgun, Maltën, San Marinon dhe Andorrën, përveç njohjes tashmë të shpallur nga Franca dhe pjesëmarrjes së mundshme të Zelandës së Re. Autoriteti Kombëtar Palestinez dhe Hamasi kanë shprehur gëzim, ku ky i fundit bën thirrje për “izolimin e mëtejshëm të shtetit hebre.”Reagimi izraelit ishte i furishëm. “Nuk do të ketë asnjë shtet palestinez”, shpërtheu kryeministri Netanyahu në prag të fjalimit të tij në OKB, “këtu po shpërblehen terroristët e Hamasit”. Të njëjtin mendim ka edhe lideri i opozitës, Yair Lapid, i cili megjithatë akuzon qeverinë Netanyahu “për shkaktimin e katastrofës më të madhe të sigurisë në historinë izraelite”.
Netanyahu planifikon të përgjigjet ndaj Londrës, Canberrës dhe Ottavës pas takimit të tij më 29 shtator me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Sipas Axios, kryeministri izraelit dëshiron “të hakmerret” duke aneksuar Bregun Perëndimor, por po pret miratimin e presidentit amerikan. Ndërkohë, politikani i ekstremit të djathtë, Itamar Ben Gvir nuk pret dhe bën thirrje haptazi për aneksime. Princi trashëgimtar saudit Bin Salman, ndërkohë, nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e OKB-së, edhe pse Trump do të takojë një grup liderësh myslimanë dhe arabë në margjinat e Asamblesë (përfshirë Emiratet, Katarin, Egjiptin, Jordaninë dhe Turqinë).