Gjykata Themelore në Prishtinë ka urdhëruar ndalimin përfundimtar të një prone prej rreth 3 hektarësh në lagjen Veternik, ku dyshohet se është kryer vepra penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Mashtrim”. Të dyshuar në këtë rast janë Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi.
Vendimi i fundit është marrë më 11 shtator 2025, pas kthimit të lëndës për të pestën herë nga Gjykata e Apelit, e cila kishte refuzuar më herët vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 15 maj 2024, e cila e kishte quajtur të pabazuar kërkesën e Prokurorisë për ndalim përfundimtar të pronës, raporton lajmi.net
Prona në fjalë dyshohet se iu është marrë me mashtrim dhe dokumente të falsifikuara familjes Sadiku, konkretisht Nexhat dhe Gursel Sadikut.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hapur hetime ndaj Ylber Hysenit dhe Afrim Gashit, të cilët dyshohet se kanë përvetësuar këtë pronë milionëshe në mënyrë të kundërligjshme.
Në lidhje me këtë çështje ka reaguar ashpër gazetari i njohur i sportit, Arlind Sadiku, i cili ka publikuar sot një video në Facebook ku shihet, sipas tij, Drejtori i Hetimeve Rajonale në Prishtinë dhe majori i Policisë së Kosovës, Nevruz Hasani, duke hyrë në pronën e sekuestruar, ndonëse ekziston urdhër ndalimi nga Gjykata.
Në postimin e tij, Sadiku shkruan:
“Shikoni si thyhet ligji nga ata që duhet të jenë në front të mbrojtes së rendit dhe ligjit. Sot në ora 14:30, Drejtori i Hetimeve Rajonale në regjionin e Prishtinës dhe majori i Policisë së Kosovës, Nevruz Hasani, shihet si ‘kapadai’ duke kaluar shiritat e pronës së sekuestruar me urdhër të Gjykatës. Ky person është pronar në tokën e familjes time dhe siç shihet në video, ‘ngutet’ sa më shpejtë të rahatohet në një pronë ku shteti po thotë ‘MOS PREK!’”./Lajmi.net/