Antonio Pintus, menaxher i performances në Real Madrid, ka lavdëruar Luka Modric si një shembull të rrallë të qëndrueshmërisë dhe profesionalizmit në sport, duke theksuar se suksesi i tij është rezultat i dedikimit të përditshëm.
Pintus, i cili ka punuar si trajner i fitness-it në Real Madrid nën drejtimin e Zinedine Zidane dhe Carlo Ancelotti, foli për gazetën italiane Gazzetta dello Sport, duke nxjerrë në pah mënyrën se si Modric ka arritur të qëndrojë në nivel të lartë për një kohë kaq të gjatë.

“Nuk ka një sekret të veçantë, por një kombinim faktorësh. Luka ka një nivel të jashtëzakonshëm profesionalizmi. Kujdeset për stërvitjen, ushqimin, rikuperimin dhe mbi të gjitha ka një mentalitet që e shtyn të mos kënaqet kurrë. Ai është një shembull i rrallë i qëndrueshmërisë sportive, rezultat i përkushtimit të përditshëm,” tha Pintus.

Programi i stërvitjes dhe rigjenerimi i Modric
Pintus ka bashkëpunuar me Modric gjatë viteve 2016–2019 dhe më pas nga 2021 deri në qershorin e këtij viti. Ai shpjegon se sekreti i eksplozivitetit dhe performancës së tij nuk qëndron vetëm tek talenti natyror, por edhe tek puna e vazhdueshme dhe e targetuar gjatë viteve:
“Në Madrid, si në të gjitha klubet e mëdha, ka mjete dhe staf të nivelit të lartë për të menaxhuar ushqimin, gjumin dhe rikuperimin. Luka gjithmonë ishte shumë metodik dhe përdorte çdo gjë që mund t’i ndihmonte të qëndronte në nivelin më të lartë me shumë inteligjencë.”

Mentaliteti “botëror” i Modric
Pintus thekson se mentaliteti i Modric është po aq i rëndësishëm sa aspekti fizik.
“Dallimi midis një lojtari të madh dhe një lojtari botëror shpesh qëndron te mentaliteti. Modric ka dëshirë për punë, gatishmëri për të sfiduar veten dhe uri për fitore që nuk shteron kurrë. Këto, edhe më shumë se aspekti fizik, janë forcat lëvizëse pas qëndrueshmërisë së tij.”
Një fillim i ri te Milani
Pas transferimit nga Real Madrid në Milano, Modric ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me opsion për një sezon shtesë. Ai tashmë ka shënuar golin e tij të parë për Rossonerët dhe pritet të jetë një nga liderët e skuadrës në sezonin e ri.
“Modric nuk është vetëm një mjeshtër në fushë, por edhe një shembull për të gjithë lojtarët e rinj, si në profesionalizëm ashtu edhe në mentalitet,” përfundoi Pintus. /GazetaExpress/