Sot ishte paraparë të mbahej seanca e radhës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me rastin tronditës të vrasjes që ndodhi më 11 shtator 2023 në supermarketin “Interex” në Podujevë.
Megjithatë, seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së gruas së viktimës, e cila është edhe dëshmitare kyçe në këtë proces.
E dëmtuara, Lirie Sylejmani e cila ishte plagosur rëndë në ngjarje nuk ishte në gjendje të marrë pjesë në seancë për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale të cilën e ka kryer ditëve të fundit. Në mungesë të kuorumit, seanca është shtyrë dhe pritet të caktohet një datë e re.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, i akuzuari Arsim Syla dyshohet se ka organizuar vrasjen e Valmir Breznicës përmes djalit të tij të mitur, L.S., si akt hakmarrjeje për një konflikt të mëhershëm.
Ngjarja ndodhi në mesditën e 11 shtatorit 2023. Viktima Valmir Breznica, bashkëshortja e tij Lirie Sylejmani dhe djali i tyre 4-vjeçar ndodheshin në supermarket për të bërë blerje. Pikërisht tek sektori i qumështit, ndodhi e papritura.
I mituri L.S., sipas Prokurorisë, u afrua nga pas dhe qëlloi me armë zjarri në drejtim të Valmirit – fillimisht në shpinë e qafë, pastaj edhe në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Një nga plumbat plagosi edhe bashkëshorten e tij, e cila në atë moment ishte duke mbrojtur fëmijën.
Lidhur me rastin, hetimet vazhdojnë./IndeksOnline/