Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka njoftuar se Washingtoni ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën.
Vendimi, thuhet në deklaratë, është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.
E në kidhje me këtë ka reaguar OVL UÇK -së.
Në reagimin e tyre thuhet se me shqetësim të madh kanë pranuar lajmin për pezullimin e dialogut strategjik, ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.
“Ky është një lajm i rëndë dhe një sinjal alarmues për të ardhmen e shtetit tonë”, thuhet në reagim.
Postimi i plotë i OVL-së së UÇK-së:
OVL UÇK me shqetësim të madh ka pranuar lajmin për pezullimin e dialogut strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës. Ky është një lajm i rëndë dhe një sinjal alarmues për të ardhmen e shtetit tonë.
Çdo krizë politike që dëmton marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara prek vetë themelet e shtetit tonë.
Ne shprehim mirënjohje të thellë për mbështetjen e përhershme të SHBA-ve për Kosovën dhe theksojmë se kjo marrëdhënie është jetike dhe e pazëvendësueshme për paqen, sigurinë dhe zhvillimin e vendit tonë.
Për fat të keq, Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani kanë treguar papërgjegjësi të jashtëzakonshme dhe dëmprurëse. Me arrogancën e tyre politike, me retorikën e papërgjegjshme dhe me veprimet që shkelin mbi interesin strategjik të Kosovës, ata kanë rrënuar raportet me partnerin tonë kryesor. Sot Kosova po paguan çmimin e egoizmit të tyre, të cilët në vend që të jenë shërbyes të popullit, janë shndërruar në pengues të së ardhmes së shtetit.
Në këtë moment kritik, OVL UÇK apelon për unitet kombëtar dhe përgjegjësi shtetërore. Kosova nuk guxon të humbasë arritjet e saj historike dhe as të dëmtojë aleancën e saj jetike me SHBA-të. Luftëtarët e UÇK-së dikur ishin në front për lirinë e Kosovës, sot jemi ushtarë të përkushtuar të aleancës me Amerikën.
OVL UÇK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të vlerave të luftës sonë çlirimtare dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
..