Një aksident i rëndë rrugor ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në Via Murri, në periferi të Bolonjës, ku një 18-vjeçar shqiptar humbi jetën, ndërsa patrioti i tij 19-vjeçar u plagos dhe u dërgua në spital me dëmtime të moderuara.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur dy të rinj shqiptarë, banorë të qendrave për të mitur të huaj të pashoqëruar, u vunë re nga policia në semaforin në Via Tolmino.
Dyshimet për moshën e re të shoferit dhe pasagjerit çuan në përpjekjen për t’i ndaluar, por pas një arratisjeje të shpejtë, makina u përfshi në një aksident fatal në Via Murri.
Sipas hetimeve paraprake, mjeti tip Audi kaloi përmes disa rrugëve kryesore të qytetit para se të dilte nga rruga në një kthesë në Via dei Lamponi, ku u përplas me një shtyllë ndriçimi dhe një tabelë rrugore, duke u ndarë në dysh.
Sipas mediave italiane pasagjeri Valerjo Maksuti, 18-vjeç, përfundoi jashtë makinës nga përplasja e madhe dhe ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa shoferi 19-vjeçar u dërgua në Spitalin Maggiore me lëndime të mesme.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e emergjencës, përfshirë paramedikët, zjarrfikësit dhe forcat e policisë lokale dhe shtetërore, të cilat kanë siguruar zonën dhe po vijojnë hetimet.

Shoferi 19-vjeçar mund të përballet me akuzën për vrasje me makinë./Indeksonline/