Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në një linjë me qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me çështjen e ngritur nga Lista Serbe në Gjykatën Kushtetuese, duke deklaruar se “Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mund të mbahet i bllokuar për shkak të një nënkryetari nga komuniteti pakicë, në këtë rast komuniteti serb”.
Në një konferencë për media ku ka bërë të ditur se ka dorëzuar komentet e saj zyrtare në Kushtetuese për këtë rast, Presidentja Osmani po ashtu ka relativizuar sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të bëra ditë më parë nga liderë të LVV-së, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, transmeton lajmi.net.
Ajo ka deklaruar se kritikat ndaj Kushtetueses janë pjesë e lirisë së shprehjes dhe se gjyqtarët e saj “nuk janë të shenjtë”, duke lënë të kuptohet se vendimet e tyre mund të komentohen publikisht nga zyrtarët politikë.
Këto deklarata vijnë në një periudhë delikate, kur Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar kushtetutshmërinë e konstituimit të Kuvendit pa një nënkryetar nga komuniteti serb, pas kërkesës së dorëzuar nga Lista Serbe. Edhe më herët, Lëvizja Vetëvendosje dhe Presidentja Osmani kanë bërë deklarata të ngjashme publike para vendimeve të rëndësishme të Kushtetueses, duke ngritur shqetësime për presion të mundshëm institucional ndaj gjyqësorit.
Për këtë çështje ka reaguar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes zëdhënësit Nikola Gaon, i cili për lajmi.net ka dhënë këtë prononcim të qartë:
“Roli i Gjykatës Kushtetuese është të interpretojë dhe të sigurojë pajtueshmërinë me Kushtetutën e Kosovës. Të gjithë akterët dhe institucionet politike të Kosovës kanë për obligim të respektojnë këtë rol, dhe të përmbahen nga çdo formë ndërhyrjeje e papërshtatshme në punën e gjyqësorit dhe të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë edhe sulmet personale.”
Tutje, BE-ja nënvizon se zgjidhja e bllokadës politike është përgjegjësi e të gjitha partive politike, dhe se një zgjidhje e tillë kërkon dialog dhe kompromise, në përputhje me parimet demokratike dhe karakterin shumetnik të shtetit të Kosovës.
“Përgjegjësia për të zgjidhur një bllokadë politike u takon para së gjithash të gjitha partive politike, të cilat mund ta shmangin atë përmes dialogut dhe kompromiseve për të kapërcyer bllokadën institucionale dhe për të ruajtur karakterin demokratik dhe shumetnik të Kosovës.”
Ky reagim i BE-së shton presionin ndërkombëtar për të ruajtur pavarësinë e sistemit gjyqësor në Kosovë dhe vjen në një kohë kur tensionet ndërmjet pushtetit dhe institucioneve të pavarura janë në rritje./lajmi.net/