Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj deklaratave të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila e ka cilësuar përfaqësimin e tij në dialogun me Serbinë si të paautorizuar dhe pa legjitimitet.
Pas takimit të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësin e BE-së, Peter Sorensen, dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, Bislimi ka kritikuar ashpër qëndrimin e LDK-së, duke e cilësuar atë si të pavend dhe të paarsyeshëm, transmeton lajmi.net.
“Është pak interesant që ky budallallëk ka arritur edhe në Bruksel. Unë jam zv. kryeministër në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ngarkuar mes tjerash edhe për temën e dialogut. Mandatin ma ka dhënë qeveria e mundet të ma marrë qeveria. Nuk ma ka dhënë LDK-ja e s’mund të ma marrë. Gjithçka tjetër është e palogjikshme ngjashëm me shumicën e qëndrimeve të këtij subjekti politik e subjekteve tjera që po hasim në muajt e fundit”, ka deklaruar Bislimi.
Deklarata e tij vjen pas kritikave të ashpra nga opozita, e cila ka kontestuar legjitimitetin e Qeverisë në detyrë për të udhëhequr me procesin e dialogut në një fazë të tillë politike./lajmi.net/