Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), është njoftuar nga portali Paparaci, se kameramani Jetmir Muji është arrestuar dhe aktualisht gjendet në stacionin policor Qendër në Prishtinë.
AGK-ja është e alarmuar dhe thellësisht e shqetësuar me këtë arrestim dhe ndalim arbitrar dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës, që ta lirojë menjëherë Mujin.
Ai ishte duke xhiruar për një raport rreth shkollimit të vajzave të Presidentes Osmani, kur është ndaluar nga mbrojtja e afërt e saj, i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar që të fshijë materialet.
AGK-ja e konsideron arrestimin të paligjshëm, arbitrar dhe abuzim nga ana e Policisë së Kosovës.
Ky është një sulm i papranueshëm kundër lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim./Indeksonline/