Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin u shpreh i kënaqur me fitoren e thellë 4:0 të Zvicrës ndaj Kosovës në Basel, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror.
Yakin tha se shumë gjëra funksionuan dhe lojtarët e tij e zbatuan shkëlqyeshëm planin që kishin, shkruan Gazeta Express.
“Kur nuk luan një ndeshje serioze për një vit, gjithmonë ekziston një dozë pasigurie. Por djemtë e zbatuan planin tonë në mënyrë të shkëlqyer. Shumë gjëra na funksionuan dhe jemi të kënaqur. Në fillim të pjesës së dytë u treguam pak të shkujdesur, edhe për faktin që duhej ta largonim Ricardo Rodriguez-in. Megjithatë, në fund ia dolëm me siguri. Është e qartë se në një moment duhet t’i menaxhosh gjërat. Pavarësisht kësaj, patëm edhe një a dy raste të mira. Arritëm ta ruajmë rezultatin, të fusim disa lojtarë e të pushojmë të tjerët, gjë që ndryshon edhe ritmin e lojës.”
“Bisedova shkurt me Rodriguez gjatë pushimit, ai donte të vazhdonte, por i thashë që kemi ndeshje të hënën dhe nuk donim të rrezikonim. Ai e pranoi.”
“Sot treguam se dimë të luajmë edhe thjeshtë e vertikalisht, jo gjithmonë vetëm me kreativitet dhe zotërim të topit. Shpesh kemi krijuar shumë raste, por nuk i kemi shfrytëzuar. Në ndeshjet e fundit kemi arritur ta bëjmë këtë.”
“Për Breel Embolo ky ishte një moment i rëndësishëm, sepse nuk kishte luajtur me Monacon. Dy golat e tij ishin shumë të vlefshëm, sidomos mënyra se si u shënuan.”
“Rezultati mes Sllovenisë dhe Suedisë është padyshim pozitiv për ne. Nëse arrijmë ta dyfishojmë të hënën, situata do të duket edhe më premtuese.”