Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka realizuar auditime të pajtueshmërisë në komunat Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Podujevë, Suharekë, Fushë Kosovë dhe Vushtrri, duke mbuluar periudhën janar 2023-dhjetor 2024, sipas të cilave shumica e tyre kanë bërë shkelje në procesin e dhënies dhe menaxhimit të pronës publike.
ZKA thotë se shumica e komunave nuk kanë zbatuar plotësisht procedurat ligjore, kanë ndryshuar qëllimin e shfrytëzimit të pronave pa miratim, kanë lejuar shfrytëzim afatgjatë jashtë kufijve ligjorë, nuk kanë zbatuar procedura formale për vazhdimin e kontratave, si dhe nuk kanë mbajtur dokumentacionin e nevojshëm dhe nuk kanë mbikëqyrur në mënyrë të rregullt shfrytëzuesit e pronave.
Në disa prej tyre auditimi ka evidentuar raste të përdorimit të pronave pa kontrata valide si dhe tejkalim të kushteve ligjore, gjë që ka dëmtuar të hyrat publike.
Po ashtu, raportimi i pamjaftueshëm nga autoritetet ekzekutive ka kufizuar mbikëqyrjen dhe vendimmarrjen e Kuvendeve Komunale.
Konkluzioni i auditimit është se komunat e audituara nuk kanë vepruar në përputhje me kornizën ligjore në fuqi për dhënien në shfrytëzim të pronës se paluajtshme dhe menaxhimin e kontratave për qiradhënie.
Dobësitë në proceset e qiradhënies, mungesa e kontrolleve të brendshme efektive dhe mos mbajtja e regjistrave të sakta kanë ndikuar në zvogëlim të të hyrave komunale, rrezikim të integritetit të pronës publike dhe shkelje të dispozitave ligjore.
Për të përmirësuar menaxhimin dhe mbikëqyrjen e pronës publike ZKA-ja ka dhënë 54 rekomandime.
Raportet e plota të auditimit të pajtueshmërisë mund t’i gjeni në vijim: Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Podujevës, Suharekës, Fushë Kosovës dhe Vushtrrisë.