back to top
Wednesday, September 3, 2025
BallinaLajmeDorëzohet padi kundër Qeverisë në detyrë

Dorëzohet padi kundër Qeverisë në detyrë

Të ngjajshme

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) dhe Lule Isufi kanë dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, për anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë që ka të bëjë me emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike (IKAP).

Sipas padisë, vendimi i Qeverisë është i kundërligjshëm dhe antikushtetues, duke përfshirë një sërë shkeljesh procedurale dhe materiale që cenojnë të drejtat e palës paditëse. Ndërkohë, është kërkuar edhe pezullimi urgjent i zbatimit të këtij vendimi, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata, transmeton lajmi.net./

Shkelje të shumta ligjore

Sipas CSL-së, njëra nga shkeljet më serioze të evidentuara është fakti se vendimi është miratuar nga kryeministri dhe ministra që njëkohësisht mbajnë pozitën e deputetëve, duke krijuar një përplasje të drejtpërdrejtë me parimin e ndarjes së pushteteve. Ky problem, sipas tyre, është tashmë i konstatuar edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës në aktgjykimin P.A.nr.09/2025, të datës 7 korrik 2025.

Padia përmend gjithashtu se:

  • Vendimi nuk përmban arsyetim se pse është përzgjedhur kandidati i emëruar, përballë tre kandidatëve të tjerë që kishin kaluar fazat e vlerësimit.

  • Dokumenti nuk ka elementet e një akti administrativ të rregullt, pasi mungon arsyetimi dhe këshilla juridike, që janë të detyrueshme sipas Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

  • Procesi i emërimit ka shkelur parimet e meritokracisë dhe përfaqësimit gjinor të drejtë, duke mos respektuar kriteret e Ligjit për Barazi Gjinore dhe Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Kërkohet anulim dhe precedent gjyqësor

CSL kërkon që Gjykata të anulojë vendimin e Qeverisë, duke i cilësuar shkeljet si rrezik për integritetin institucional dhe për besimin në sistemin e administratës publike.

“Për shkak të nivelit të lartë të pasojave që mund të shkaktojë për interesin publik, kemi propozuar edhe pezullimin e zbatimit të këtij vendimi të kontestuar nga Qeveria në detyrë”, thuhet në komunikatën e Qendrës.

CSL shton se ky rast duhet të shërbejë si praktikë ndëshkuese ndaj veprimeve të paligjshme të institucioneve, duke forcuar standardin e vendimmarrjes ligjore në shërbim të interesit publik./lajmi.net/

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz