Në testin e maturës që po mbahet sot në shkollat e Kosovës janë të përfshirw 5,480 nxënës.
Drejtori i Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, Betim Sylejmani, bëri të ditur se në këtë shkollë po mbahet afati i dytë i Provimit Shtetëror të Maturës dhe janë angazhuar 10 klasa për testimin e 150 nxënësve.
“Edhe në gjimnazin ‘Sami Frashëri’ është duke u mbajtur afati i dytë i provimit shtetëror të maturës dhe në këtë shkollë do t’i nënshtrohen 150 nxënës dhe gjithsejt janë 10 klasa testimi”, tha ai.
Sylejmani theksoi se që nga viti i kaluar, nxënësit janë të shpërndarë dhe nuk ka më mundësi që të jenë në të njëjtën klasë me shokët e tyre, pasi MAShTI ka aplikuar masa më rigoroze për mbarëvajtjen e procesit.
“Që nga viti i kaluar nxënësit janë të shpërndarë, nuk ka mundësi të klasës së njëjtë, që i bie që janë 13 shkolla të komunës së Prishtinës dhe asnjë shok apo shoqe e klasës nuk mund të qëllojë në klasë e njëjtë me shokun e tij. Këto janë një prej masave të MASHT që mundohet të krijojë masa më rigoroze për një mbarvajtje sa më të mirë të testit”, tha ai.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se më sot, me 28 gusht 2025, duke filluar nga ora 10:00, mbahet Provimi i Maturës Shtetërore (afati i dytë), ku do të testohen gjithsej 5,480 maturantë. Rezultatet do të shpallen më 1 shtator 2025 përmes platformës elektronike e-Kosova.
“Për të siguruar një proces të drejtë, transparent dhe të besueshëm, Ministria fton të gjithë kandidatët që të respektojnë me përpikëri rregullat e përcaktuara, si: mospërdorimi i telefonave dhe pajisjeve të tjera elektronike, pasi hyrja në qendrat e testimit nuk do të lejohet për kandidatët që posedojnë pajisje të tilla”, thuhet në njoftim.
MAShTI po ashtu ka bërë të ditur se hyrja në qendrat e testimit do të mbyllet në ora 10:00 dhe pas kësaj kohe nuk do të lejohet asnjë kandidat apo person i paautorizuar deri në përfundimin e testit. Ministria ka ftuar maturantët të paraqiten me kohë dhe të bashkëpunojnë me mbikëqyrësit e administratorët, për të garantuar një proces të barabartë dhe të qetë për të gjithë pjesëmarrësit.