Blerim Sallahu është emëruar ushtrues detyre i Ministrit të Drejtësisë.
Kjo ka ardhur pasi ministrja e deritanishme, Albulena Haxhiu është zgjedhur dje si nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në lidhje me këtë ka njoftuar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka caktuar sot zëvendësministrin e deritanishëm të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ushtrues të detyrës së Ministrit të Drejtësisë, pas zgjedhjes së Albulena Haxhiut në pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti e uron z. Sallahu për përgjegjësinë e re dhe i dëshiron suksese në përmbushjen e detyrave”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Albulena Haxhiu dje është zgjedhur në pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, pasi për disa seanca me radhë ajo nuk ka arritur të mbledh 61 vota për të marrë pozitën e kryetares së Kuvendit.
Dje, kryetar i Kuvendit të Kosovës është caktuar Dimal Basha.
Përveç Albulena Haxhiut, sot ka dhënë dorëheqje edhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili arsyen e kësaj dorëheqje e ka lidhur me emërimin e Bashës si kryeparlamentar.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, ka njoftuar sot Aliu. /Lajmi.net/