Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar sot se në nivel vendi janë regjistruar gjithsej 25 vatra zjarri, gjatë ditës së 20 gushtit 2025.
Sipas të dhënave zyrtare, 22 prej tyre janë lokalizuar, ndërsa 3 vatra vijojnë të jenë aktive, transmeton lajmi.net
Në njoftimin zyrtar, AME u bën apel qytetarëve që të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si dhe të denoncojnë çdo rast të zjarrvënies së qëllimshme tek organet ligjzbatuese.
“Apelojmë që qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë në numrat emergjentë: 112, 193 dhe 192,” thuhet në komunikatë.
Agjencia ka shprehur gjithashtu mirënjohje për përkushtimin e Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të cilët janë angazhuar pa ndërprerje në terren për të menaxhuar dhe shuar vatrat e zjarrit.
Situata me zjarret mbetet e ndjeshme në disa rajone të vendit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rreziku është i shtuar për shkak të temperaturave të larta dhe thatësisë së terrenit./lajmi.net/