Më 14 shtator mërgata shqiptare e mbështetur nga kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ta vazhdojnë protestën kundër Speciales në Hagë të Holandës.
Lajmin e ka bërë të ditur ish-ushtari i UÇK-së, Uk Lushi, i cili tha se më 14 shtator 2025, Haga do të dëgjojë buçimën e zërit të popullit të Kosovës nga çdo cep i botës.
Lushi përmes një postimi të gjatë në rrjetin social, Facebook, theksoi se gjykatës do t’i thuhet se në emër të popullit të Kosovës nuk do të lejohet asgjë tjetër përpos drejtësisë dhe lirisë.
Postimi i plotë:
Kosova dhe liderët e Kosovës megjithatë kanë vendosur të heqin çdo tis dyshimi dhe në pjesën e tyre të mbrojtjes do të paraqesin faktet e komandantëve të Amerikës e NATO-s kundrejt falsititeteve dhe gënjeshtrave të shtetit pushtues të Serbisë e Miloševićit.
Prandaj, populli i Kosovës, veteranët e UÇK-së dhe çdo njeri që e di drejtësinë e luftës, fatkeqësisht edhe ngase Kuvendi dhe institucionet e Kosovës nuk kanë kryer obligimet ta mbikëqyrin abuzimin legal të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale, kemi vendosur të vazhdojmë angazhimin qytetar duke protestuar dhe kërkuar nga Specialja lirimin sa më të shpejtë të formuesve të shtetit të Kosovës.
Faktet, provat dhe argumentet tregojnë që ata duhet të lirohen në emër të popullit të Kosovës dhe t’i kthehen popullit për ta vazhduar punën në përparimin dhe forcimin e Kosovës.
Bazuar në këto të vërteta,
Gjykatës do t’i thuhet se nuk do të lejohet asgjë tjetër në emër të popullit përpos drejtësisë dhe lirisë së Kosovës!